Kryetari i Komunës së Gjilanit, njëherit kandidat edhe për një mandat qeverisës, Lutfi Haziri, ka parë nga afër sot punimet në ndërtimin e shetitores mbi lumin “Mirusha”. Haziri tha se kjo shetitore është kthyer në qendër për bizneset.
“Përfundimisht, në lagjja e “Balecit” nuk ka më kundërmim. Kjo shetitore është kthyer në qendër për bizneset. Planifikohet organizimi i bizneseve të mesme dhë të vogla, duke krijuar vende të reja pune dhe duke e ringjallur pas 30 viteve qendren e Gjilanit”, ka thënë Haziri, duke treguar për realizimin e projektit të tërësishëm.
“Do të vazhdojmë rindërtimin e sheshit përfshirë gjelbrimin, organizimin urban dhe kjo shetitore e re do të përfundoj tek furra “Aroma” në pjesën e epërme, ndërsa do të vazhdojmë në pjesën e poshtme deri tek “Mulliri i Akllapit”. Ne besojmë që në vitin e ardhshëm do të përfundojnë të gjitha punimet në këtë pjesë dhe do të fillojmë ta rindërtojmë në të njejtën mënyrë lumin “Stanishorka”, ka shtuar kreu i Gjilanit.