Pas 43 viteve të kaluara në procesin edukativ dhe arsimor, Isa Abdyli, profesor i kimisë ka arritur moshën e pensionimit, duke përmbyllur me plot sukses misionin prej mësimdhënësi.
Isa Abdyli kishte nisur punën si mësimdhënës që në vitin 1977, duke punuar në disa shkolla fillore e të mesme, kurse pjesën më të madhe e kishte kaluar në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, ku për disa vite kishte qenë drejtor e zëvendësdrejtor, për të përmbyllur misionin e tij në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”.
Në këtë kohë pandemie, kur u mbyllën shkollat kudo në botë, me gjithë organizimet e bëra ishte e pamundur që të organizohet një përcjellje e organizuar për këtë qëllim, andaj drejtoria e shkollës dhe një grup mësimdhënësish organizuan një takim me profesorin Isa Abdyli në shtëpinë e profesorit, ku janë pritur nga aid he familja e tij e mrekullueshme.
Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka folur për punën e palodhshme që ka bërë profesori Isa Abdyli me dekada të tëra dhe ka përcjellë edhe urimet e mësimdhënësve të tjerë dhe të stafit të shkollës, duke i dëshiruar profesorit shëndet dhe jetë të gjatë.
Edhe Agim Asllani, zëvendësdrejtor ka falënderuar profesorin Isa për punën e tij në edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave ndër vite. Ngjashëm janë shprehur edhe kolegët Ekrem Kryeziu, Shkëlqim Zunqe e Sami Selishta.
Në shenjë mirënjohje e kujtimi profesorit Isa Abdyli i janë ndarë mirënjohje nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan, Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti”, sikurse që i janë ndarë edhe dhurata që atij t’i mbeten kujtim nga kolegët e shkollës.
Rrugëtimi i profesorit Isa Abdyli ndër vite
Që nga mosha e hershme, duke qenë vetëm në vitin e parë në Fakultetin e Shkencave Natyrore- Drejtimi Kimi, Isa Avdyli filloi punën si mësimdhënës në Shkollën Fillore ” 16 Nëntori” -Kamenicë.
Duke vazhduar më tutje në Gjimnazin “Zenel Hajdini ” në Gjilan, e më pas edhe në Shkollën e Mesme Teknike (Gjilan).
Puna e tij dhe dashuria ndaj nxënësve e bëri që asnjëherë të mos ndahet nga arsimi dhe nga e ardhmja
Vite me radhë në arsim prapë rikthehet në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, ku emërohet si Zëvendës Drejtor afër 7 vite dhe më pas si Drejtor i kësaj shkolle.
Si zëvendësdrejtor gjatë kohës së luftës me forcat serbe , ai fshehu gjithë dokumentacionin e shkollës në oborrin e tij, kështu duke rrezikuar veten dhe familjen, sepse gjithmonë mbante shpresë se liria do të vij një ditë dhe të mos i humbasin vlerat që mësimdhënësit dhe nxënësit i kishin krijuar deri në atë kohë.
Puna e tij si drejtor u pëlqye dhe u ndihmua mjaftë nga Komuna dhe Organizatat e huaja për shume iniciativa dhe për një shkollë sa më të suksesshme.
Duke pas parasysh gjendjen e asaj kohe në vendin tonë, Isa Avdyli prapë u mundua të gjej zgjidhje për shumë probleme të nxënësve, e disa nga to janë edhe uniformat e nxënësve, pajisjen e kabinetit të informatikës me kompjuterë dhe rrethimin e Shkollës për siguri më të madhe të nxënësve.