Qeveria e Kosovës ka vendosur sot që vlera e koeficientit për paga të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 euro për vitin 2024, raporton Express.
Por, sa i bie që të paguhen saktë punëtorët e sektorit publik me Ligjin e ri të Pagave?
Vlera e pagës prodhohet duke shumëzuar vlerën monetare të koeficientit (105 euro për këtë vit) me nivelin e koeficientit – që varion nga 2 deri në 18, e të cilët mund t’i gjeni këtu.
Me Ligjin për Paga parashihet që Presidentja e Kosovës ta ketë pagën më të madhe në vend, me koeficient 18. Pas saj radhitet Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 17.5.
Paga e kryeministrit është paraparë ta ketë koeficientin e njëjtë me atë të Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të shtetit, me koeficient 17.
Shefi dhe zëvendësshefi i Stafit në Presidencë do ta ketë koeficientin 13. Shefi i Stafit në Zyre të Kryeministrit dhe Kuvendin e Kosovës me koeficient 12.5. Këshilltarët politik me koeficient mbi 10.
Pozita e Komandantit të FSK-së është parapa të paguhet me koeficient 15, ndërsa koeficientin 15.5 do ta ketë pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës pritet ta ketë koeficientin 14.5. Ndërsa në Shërbimin Korrektues të Kosovës, udhëheqësi i pavionit është parapa ta ketë koeficientin 7.3.
Rektori do ta ketë koeficientin 14.2, dekani 12.8 dhe profesori i rregullt 12.4. Drejtori i Shkollës së Mesme të lartë 6.4 dhe mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Lartë 5.8. Mësimdhënësi në Shkollë fillore dhe të Mesme të Ulët 5.6, Mësimdhënësi në institucionet parashkollore 5.2 dhe edukatorët 5.
Pozita e Drejtuesit në Shëndetësi është 12.4, Mjek specialist 12, Mjek në Specializim 8, Mjek i përgjithshëm, Stomatolog, Farmacist 7.4, Laborant, Infermier, Mami, Teknik mjekësor, Teknik farmacist, 5.6.
Ambasadori do ta ketë koeficientin 10.
Kryetari i kryeqytetit do ta ketë koeficientin 15, ndërsa kryetarët e komunave do ta kenë koeficientin në bazë të numrit të banorëve që ka komuna. Për shembull komuna që ka mbi 100 mijë banorë, kryetari i saj do ta ketë koeficientin 13.
Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës./Gazeta Express