Gjilan

Ja si do të duken Kult Qendra dhe Palestra e rinovuar “Bashkim Selishta – Petriti”

Gjilan, 19 janar 2024 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në konferencën për media të premten, ka elaboruar në detaje projektet e prezantuara ditë më parë, të Kult Qendrës dhe renovimin e palestrës së sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”.

Projekti i Kult Qendrës, gurthemeli i të cilit është vënë ditë më parë, përfshinë ndërtimin e qendrës së re kultutore, një sallë alternative për teatër me 200 ulëse, ku do të ketë edhe qasje për personat me nevoja të veçanta.

“Vlera e projektit të Kult Qendrës është 1.2 milionë euro, ku përpos sallës së teatrit, atje do të fillojmë edhe me institucionalizimin kinemasë së qytetit, pastaj galeria e re e qytetit, pasi hapësira aktuale është vështirë e qasshme dhe hapësirë e vogël për këto aktivitete. Galeria e re e qytetit do të ketë rreth 400 m2. Në këtë objekt do të ketë edhe zyra e ambiente të punës, zhveshtore të artistëve të teatrit dhe një bufe e vogël”, ka thënë kryetari Hyseni.

Kurse, për projektin e renovimit të palestrës së sporteve, kreu i Gjilanit tha se vlera totale është 2.3 milionë euro.

“Projekti përfshinë rregullimin e hapësirës së jashtme, hapësirën përreth tij, të terrenit sportiv, tribunat e hapësirat për parking. Ndërkohë, në pjesën e brendshme, ku investimet paraprake kanë qenë kozmetike, përfshinë edhe rregullimin e qatisë e dyshemesë. Do të bëhet ndërrimi i plotë i kulmit ku do të përfshihen edhe panele solare për ngrohjen e ujit për nyjet sanitare, do të rregullohet edhe sistemi modern i ngrohjes”, theksoi kryetari Hyseni, duke shtuar se salla e xhudos do të bëhet në kuadër të memorandumit me ministrinë e linjës.

Në fund, kryetari Hyseni tha se projektet që do të implementohen këto dy vite janë me rëndësi kapitale për qytetin për ta sjell një lloj transforimi infrastrukturor dhe përmbajtësor për zhvillimin e këtyre aktiviteteve. ​

You Might Also Like