Ka dhjetë ditë që shumë lagje të Gjilanit janë në terr
Prej 10 ditësh, Gjilani po përballet me mungesë të ndriçimit të rrugëve, duke lënë qytetarët të lëvizin nëpër qytet në errësirë.
Një shqetësim të tillë e ka ngritur edhe Fitim Guda, lagja e të cilit tash e sa ditë është në terr, sipas të cilit problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e dritave. Ai ngre edhe pikëpyetje për mënyrën se si po menaxhohen obligimet dhe shërbimet publike të komunës.
“Nëse një komunë nuk arrin t’i përmbushë obligimet e saj ndaj KEDS-it dhe si pasojë qytetarët mbeten pa ndriçim, atëherë bëhet fjalë për një problem që shkon përtej një ndërprerjeje të zakonshme të energjisë”, ka shkruar Fitim Guda, i cili ka prekur drejtpërdrejt menaxhimin, planifikimin dhe përgjegjësinë institucionale.
Sipas tij, dikur qytetarëve u premtohej një Gjilan i zhvilluar e sot, për shumë prej tyre, rrugët e qytetit po përshkohen me telefonin në dorë dhe me dritën e ekranit si burim ndriçimi.
Dhjetë ditë në terr nuk janë vetëm mungesë drite. Janë edhe një arsye për të kërkuar përgjigje: çfarë ka ndodhur, kush mban përgjegjësi dhe kur pritet të zgjidhet problemi, vlerëson Guda. /kryelajmi.com/.





