Sonte (e hënë) nis Festivali i Dramës Kombëtare „Talia e Flakës“ në të cilin për pesë net me radhë do të jepen pesë shfaqje, kurse në natën e fundit do të jenë edhe nominimet për më të dalluarit.
Kështu, festivalin do ta hap teatri nikoqir, ai i Gjilanit, i cili do të paraqitet me shfaqjen „Im atë e donte Adolfin“ me autor Mehmet Kraja e në regji të Ilir Bokshit. Në natën e dytë do të paraqitet Teatri Shqiptar i Shkupit, me shfaqjen „Darka e thërrimeve“ me tekst të Refet Abazit e në regji të Qëndrim Rijanit. Nata e tretë është e rezervuar për Teatrin AKT nga Prishtina, i cili vjen me shfaqjen „Aktori në kuti“ me autor, aktor dhe regjisor Mentor Zymberajn.
Në natën e katërt do të jepet shfaqja „Ikja nga Gjermania“ i Tetarit të Qytetit të Prishtinës „Dodona“ me tekst të Ilir Ajdinit e regji të Kastriot Saqipit. Në mbrëmjen e fundit do të jepet shfaqja „Askushi“ e Tetarit „Aleksandër Mojsiu“ të Durrësit, me tekst të Bashkim Hoxhës e në regji të Elios Ibro.
Bashkim Nexhipi, udhëheqës i sektorit për Kulturë në Gjilan, ka theksuar se në këtë festival do të përfaqësohen teatrot nga të gjitha trevat shqiptare dhe se qysh tash ekziston një interesim i madh i publikut për këto shfaqje.