Gjilan

Komuna e Gjilanit shënon 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, nderon mësimdhënësit e pensionuar

Gjilan, 7 mars 2022 – Nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, është shënuar të hënën 7 Marsi – Dita e Mësuesit, në ngjarjen ku ka marrë pjesë nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina – Bunjaku, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku, drejtoresha e DKA-së, Selvete Sylejmani, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku – Berdyna, përfaqësues të Policisë e FSK-së, sikurse mësimdhënës e nxënës.

Në emër të kryetarit Alban Hyseni, ka folur nënkryetarja Leonora Morina – Bunjaku, e cila pasi uroi mësuesit për këtë ditë, ka kujtuar periudhën e rëndë të 90-ta, ku ata mbajtën gjallë arsimin shqip.

“Në shenjë nderimi, respekti e kujtimi për kontributin e Mësonjëtores së Korçës dhe mësuesve të saj, 7 Marsi u caktua si Ditë e Mësuesit dhe e shkollës shqipe. Sot kujtojmë vitet e 90-ta kur ju, misionarë të dijës dhe arsimit, nuk u kursyet asnjëherë, mbajtët gjallë arsimin edhe në kushtet më të vështira të mundshme. Mësimdhënësit nuk u zmbrapsën as në kohën e pandemisë e cila e goditi botën, duke gjetur mënyra për ta mbajtur mësimin. Prioritet i kësaj qeverisje është arsimi dhe ne besojmë në ju. Urime Dita e Mësuesit!”, ka thënë nënkryetarja Morina-Bunjaku.

Drejtoresha Komunale e Arsimit, Selvete Sylejmani, ka vlerësuar lartë kontributin e mësuesve në edukimin e shoqërisë.

“Kam nderin që sot t’ju uroj për ditën më të çmuar të mësuesit, ditën nga ku jemi nisur dhe do të ecim seriozisht me misionin me moto ‘Shkolla, vatër e dijes’. Ne sot e kujtojmë rolin e rëndësishëm të mësuesit në edukimin e shoqërisë. Po ashtu, në këtë ditë kujtojmë sakrificën dhe përkushtimin e mësuesve në rrugëtimin e gjatë për përhapjen e dijës, fuqizimin e familjes, përmes arsimimit dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare. Pra, kontributi i mësuesve ka qenë shumëdimensional”, ka thënë Sylejmani.

Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku – Berdyna tha se kjo ditë përpos urimit, është edhe ditë e falënderimit për mësuesit për kontributin, punën e madhe dhe sakrificën e pashoq në arsimimin e brezave të rinj.

“Sot ne së bashku kujtojmë dhe nderojmë mësimdhënësit tanë të parë që na ndihmuan në hapat tanë drejt arsimimit tonë. Puna e përbashkët drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit patjetër që do të rezultojë e suksesshme. Ministria e Arsimit po punon vazhdimisht në ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësim-nxënie. Sot, kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci po shënjojnë shtëpitë-shkolla në Prishtinë dhe ky aktivitet do të vazhdojë gjatë tërë vitit në shënjimin e të gjitha shtëpive-shkolla në Kosovë, në shenjë mirënjohje për kontributin dhe mbijetesën e arsimit shqip në vitet 90-ta”, ka thënë zëvendësministrja Maloku – Berdyna.

Në fund, janë dhënë mirënjohje për mësimdhënësit e pensionuar për kontributin nëpër gjenerata, ndërkohë, para të pranishmëve është shfaqur një program i pasur kulturor artistik, i përgatitur nga shkolla e muzikës.

Ndryshe, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku – Berdyna, së bashku me përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit kanë vizituar shkollën “Sadulla Brestovci”, për ta parë nga afër procesin dhe punën e madhe që bëhet aty.

You Might Also Like