OPINION

Kosova ka nevojë për dijen dhe punën e rinisë së saj më shumë se secili vend tjetër

Për fat të mirë ditëve të fundit (edhe pse jo siç pritej), rifilloj të debatohet tema e largimit të brezit të ri nga Kosova! Shkaqet e largimit, po ndryshojnë me kohën. Por fatkeqësisht po vazhdojnë ende, të janë pothuajse të arsyeshme largimet masive nga Kosova.

Është më se e kuptueshme që brezi i ri dëshiron perspektivë, punë dhe këtë e ka merituar më shumë se çdo rini tjetër në Evropë. Ironia qëndron se pikërisht të rinjtë tanë ende nuk gëzojnë kushte të një jete normale nga djersa e tyre në vendin e tyre.
Është kjo një brengë dhe dhimbje e kamotshme, veçanërisht në këto dhjetë vitet e fundit, kur ikja apo largimi i qytetarëve nga Kosova ka vazhduar në mënyrë më intensive.
Shpresoj se rifillimi i këtij debati, do të marr përmasa te qytetarët, në shoqëri civile si dhe në të gjitha instancat institucionale, në mënyrë që ti rikthehemi këtij problemi kaq të dhimbshëm i cili ngjanë që s’ka të mbaruar.

Duhet të përkushtohemi fuqishëm, që ta shndërrojmë në një të kaluar këtë brengë tonën, duke punuar që brezit të ri dhe qytetarëve të Kosovës tu krijohen kushte për të qëndruar në vendin e tyre.
Kosova ka nevojë për dijen dhe punën e rinis së saj më shumë se secili vend tjetër. Por fatkeqësisht Kosovën e kanë shndërruar në një njerkë për bijtë e bijat e saj.
Kosova është e të gjithë qytetarëve, dhe ka kuptimin e saj vetëm kur bashkërisht mundohemi të kalojmë këtë sfidë të rëndë e cila po zgjat me dekada pavarësisht shkaqeve që po ndryshojnë.
Të përkushtohemi për një zhvillim të gjithëmbarshëm duke iu siguruar një mirëqenie qytetarëve të vendit tonë.
Largimi nuk është zgjidhje as individuale e as e kësaj shoqërie e cila ka nevojë për dijen dhe punën tonë.

Unë mbështes fuqishëm debatin e qëlluar dhe uroj që të troket në ndërgjegjen e secilit, në të gjitha dyert institucionale, si dhe të afaristëve, në mënyrë që të krijohet një hapësire shpresëdhënëse për të gjithë ata që e kanë më së të nevojshme e veçanërisht për brezin e ri!

Bashke me suksese të reja!

Arbër R. Ismajli

You Might Also Like