Gjilan

KPF rekomandon për Kuvend raportin vjetor të kryetarit për vitin 2023

Gjilan, 19 mars 2024 – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, në mbledhjen e të martës, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Gjilanit raportin vjetor të kryetarit Alban Hyseni për vitin 2023, sikurse edhe raportin financiar për vitin fiskal për vitin 2023, ndërkaq ka shtyrë për një mbledhje tjetër propozimin për lejimin e rritjes të buxhetit nga tejkalimi i realizimit te të hyrave vetanake të planifikuara të vitit 2023, në mungesë të materialit.

Ndërkohë, KPF ka rekomanduar, po ashtu, edhe pikën për përgatitjen për orientimin e nxënësve në drejtime të ndryshme, draft-rregulloren për subvencione në bujqësi dhe nismën e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, për inicimin e bashkëpunimit komunal ndërkombëtar mes mes Gjilanit, Preshevës dhe Bujanocit, përkatësisht në fushën e kulturës, arsimit dhe bashkëpunimit ndërkufitar.

Plani Lokal i Veprimit për Cilësi të Ajrit dhe informata rreth Manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” 2024, nuk janë proceduar tutje për shkak se opozita, e cila e përbën shumicën në Kuvend, ka votuar kundër nën arsyetimin e mungesës së drejtorëve përkatës.

Përndryshe, kryesuesi Kushtrim Kadri ka bërë të ditur se mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa është transmetuar drejtpërdrejtë në formatin livestream, në kanalin zyrtar të Komunës së Gjilanit në youtube.

You Might Also Like