OPINION

Humbje milionshe, fatura e frikshme e stadiumit “fantazmë” për FC Dritën dhe SC Gjilanin

Shkruan: Sylejman Ismajli

Humbje milionshe, fatura e frikshme e stadiumit “fantazmë” për FC Dritën dhe SC Gjilanin

Për shtatë vite me radhë, dy nga klubet më të mëdha në Kosovë po paguajnë një çmim të papërballueshëm për shkak të infrastrukturës. Përtej rënies drastike të numrit të tifozëve, përllogaritjet tregojnë se llogaritë e Dritës dhe Gjilanit janë dëmtuar me miliona euro.

Tani e shtatë vite, dy klubet e qytetit të Gjilanit, FC Drita dhe SC Gjilani, po e zhvillojnë aktivitetin e tyre futbollistik në kushte të mjerueshme. Dy skuadrat më të organizuara të futbollit kosovar po shohin “të zinjtë e ullirit” në mungesë të një shtëpie të vërtetë. Stadiumi i qytetit as për së afërmi nuk është drejt përfundimit, dhe ajo pak dritë që shihej në fund të tunelit është zbehur, duke bërë që klubet të humbasin çdo shpresë për një zgjidhje të shpejtë.

Gjendja fizike e infrastrukturës ekzistuese ka qenë një sfidë më vete. Me rrënimin e shkallëve të vjetra të stadiumit dhe shtëpisë së zhveshtoreve, të dyja klubet për një kohë të gjatë u detyruan të improvizojnë zhveshtore me mjete vetanake nën shkallët e reja. Këto ambiente emergjente shpesh janë vërshuar me të madhe nga rrjedhjet e ujit, duke shkaktuar jo vetëm telashe financiare për mirëmbajtje, por edhe rrezik real për përmbytje. Sot, klubet detyrohen t’i zhvillojnë garat në një fushë me bar sintetik, e cila nuk ofron as kushtet elementare për ndeshje të nivelit të lartë.

“Armiku” më i madh i këtyre dy klubeve është pikërisht ky stadium i papërfunduar, i cili ka sjellë kokëçarje të panumërta. Kostoja më e dhimbshme është ajo e tifozërisë. Në mungesë të kushteve, qytetarët po largohen. Dikur, derbit e Gjilanit mblidhnin 12,000 deri në 13,000 tifozë nga e gjithë Kosova, ndërsa sot, në fushën sintetike, mezi grumbullohet një numër prej rreth 1,000 shikuesish. Ky largim i masës ka goditur rëndë edhe ekonominë e qytetit të Gjilanit, duke ndikuar sidomos në pjesën e gastronomisë.

Shto këtu edhe mungesën e sponsorëve, të cilët hezitojnë të investojnë në kushte të tilla, dhe faktin që Ligji për Sponsorizim në Sport shpesh nuk arrin të funksionojë siç duhet në këtë realitet të zymtë.

Në bazë të një analize dhe përllogaritjeje të detajuar të ndeshjeve të zhvilluara në 7 vitet e fundit, skuadra e FC Dritës llogaritet të jetë dëmtuar perafersisht me rreth 2,478,000 euro në të gjitha garat:

Kampionati (1,134,000 €): Për 7 vite, në formatin me 36 ndeshje, Drita ka zhvilluar 252 ndeshje në total, nga të cilat 126 si vendase. Duke llogaritur një mesatare modeste prej 3,000 shikuesish për ndeshje, i bie të jenë humbur 378,000 shikues. Me një biletë prej 3 eurosh, humbja kap vlerën e 1,134,000 eurove.

Kupa e Kosovës (144,000 €): Me një mesatare prej 5 ndeshjesh në vit (35 ndeshje në 7 vite), Drita ka luajtur rreth 16 ndeshje si vendase. Me 3,000 shikues për ndeshje, janë 48,000 shikues të humbur. Me biletën 3 euro, humbja është 144,000 euro.

Garat Ndërkombëtare (1,200,000 €): Nga sezoni 2018/19 (debutimi kundër FC Santa Coloma) e deri te ndeshja e fundit ndaj Kauno Zalgiris, Drita ka zhvilluar 45 ndeshje evropiane. Prej tyre, 24 ndeshje si vendase. Pa stadium në qytetin e saj, Drita ka humbur një mesatare prej 10,000 shikuesish për ndeshje. Rreth 240,000 shikues në total, të cilët me një biletë evropiane prej 5 eurosh, i kanë shkaktuar klubit një dëm prej 1,200,000 euro.

Të njëjtin fat të hidhur e kanë pasur edhe “kuqebardhët”, ku dëmi llogaritet në rreth 1,728,000 euro:

Kampionati (1,134,000 €): E njëjta formulë vlen edhe për Gjilanin, ku për 7 vite si vendas janë humbur saktësisht 1,134,000 euro nga mos-shitja e biletave për 126 ndeshje.

Kupa e Kosovës (144,000 €): Rreth 16 ndeshje si vendas u kanë kushtuar atyre 144,000 euro dëm nga mungesa e të ardhurave.

Garat Ndërkombëtare (450,000 €): Gjilani e nisi rrugëtimin evropian në edicionin 2020/21 kundër Tre Penne të San Marinos. Në garat ndërkombëtare, llogaritet se nga ndeshjet vajtje-ardhje, humbja e shikueshmërisë ka qenë rreth 90,000 shikues gjithsej për ndeshjet nikoqire. Me një biletë prej 5 eurosh, dëmi nga mungesa e stadiumit arrin në 450,000 euro.

Përfundimisht, statistikat tregojnë një realitet të frikshëm: FC Drita dhe SC Gjilani për 7 vite janë “varfëruar” së bashku me 4,206,000 euro. Imagjinoni se çfarë mund të bëhej me mbi 4 milionë euro: sa investime mund të ishin bërë në akademitë e të rinjve, në përgatitjen e brezave të rinj, apo në blerjen e lojtarëve cilësorë!

Se sa do të vijojë kjo mungesë e stadiumit “fantazmë”, askush nuk mund ta parashikojë. Premtimet e dhëna për 7 vite rresht mbetën fjalë boshe. Futbolli, që dikur ishte kënaqësia dhe krenaria e mbarë Kosovës, sot po venitet me hapa gjigantë.

You Might Also Like