Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, me bashkëpunëtor, ka pritur sot në takim Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, Faton Peci. Gjatë këtij takimi është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit mes MBZHR-së dhe komunës së Vitisë në interes të zhvillimit të sektorëve të ndryshëm bujqësor.
Kryetari Haliti fillimisht e ka njoftuar Ministrin Peci për mundësitë e zhvillimit bujqësor të komunës së Vitisë, duke e cilësuar Vitinë si hambarë të Anamoravës për shkak të cilësisë së lartë të tokës që ka kjo komunë.
“Vitia është e njohur për prodhimtari bujqësore dhe ndryshe quhet hambarë i Anamoravës. Kjo komunë nuk është vetëm e njohur për kulturat lavërtarë por edhe për kulturat pemëtarë, blegtorale dhe të sektorëve të tjerë” u shpreh kryetari Haliti.
Ai foli edhe për takimin që kanë zhvilluar ata sot me ministrin Peci.
“Sot kemi bashkëbiseduar me ministrin për shumë aspekte, në sferën e bujqësisë si në nivel vendi ashtu edhe në nivel komunal, për problematikat, deficitet dhe nevojat që i kemi për projekte si për sistemin e ujitjes që jashtëzakonisht kemi nevojë shumë por edhe për subvencionime të tjera të fermerëve” theksoj Haliti duke përmendur edhe potencialet e mira që ka Vitia si hidroekonimike, të traditës bujqësore dhe organizimit të përbashkët të fermerëve në shoqata.
I pari i komunës tha se ai gjithashtu e ka njoftuar ministrin edhe me subvencionimin dhe përkrahjen që jep komuna e Vitisë nga buxheti i saj fermerëve, ndonëse sipas tij buxheti komunal është i vogël në krahasim me kërkesat dhe nevojat.
Kurse Ministri i MBZHR-së, Faton Peci, ka folur rreth qëllimit të kësaj vizite. “ Në kuadër të raundit të vizitave që po zhvillojmë me komunat edhe me kryetarin Haliti diskutuam gjerë dhe gjatë mbi për krejt potencialin që ka Vitia dhe Kosova, posaçërisht marrë për bazë se ky e ka pasion këtë temën e diskutimit për bujqësi” u shpreh ministri Peci.
Ai shtoj se si ministër është i interesuar të shoh se si kryetarët e komunave e shohin potencialin e zhvillimit ekonomik përmes bujqësisë duke përmendur edhe disa objektivave që ata synojnë të krijojnë për hartën dhe potencialin e investimeve.
Kjo sipas ministrit Peci bëhet për tërheqjen e investimeve nga donatorë të ndryshëm dhe koordinimin sa më të mirë me komunat.
I pyetur nga gazetarët rreth projektit të ujitjes në Skifteraj që ishte nënshkruar më parë ministri Peci tha se në këtë vit nuk ka qenë Vitia përfituese por nuk përjashtoj mundësinë që ajo të jetë në të ardhmen. Ai bëri me dije se do të vizitoj edhe fshatin Skifterajn dhe theksoj se bashkërisht me kryetarin Haliti do të shqyrtojnë çështjen e projektit të ujitjes në Skifteraj të Vitisë.Aziz Zuka