Në Gjilan të martën ka nisur Kupa Ballkanike për skuadra të volejbollisteve. Në këtë ngjarje ballkanike po paraqiten katër skuadra. Kosovën po e përfaqëson kampionja, Drita e Gjilanit. Në ditën e parë, Drita u përball me skuadrën nga Greqia, Markopuolo. Skuadra greke fitoi me rezultatin 3:1 në sete.
Në setin e parë lojtaret e Markopoulos shfaqën dukshëm më tepër dhe fituan 25:17. Seti i dytë ishte thuajse i barabartë dhe përfundoi 25:23 për skuadrën greke. Të pranishmit në palestrën në Gjilan u gëzuan pas setit të tretë, të cilin Drita e fitoi 26:24. Por skuadra gjilanase shfaqi më pak në setin e katërt, të cilin Markopoulo e fitoi 25:20.
Më herët të martën, Galatasaray fitoi 3:0 në sete ndaj Skënderbeut të Korçës.
Të mërkurën prej orës 17:30 takohen Markopoulo e Galatasaray, ndërsa Drita e Skënderbeu luajnë prej orës 20:00. Të enjten janë ndeshjet e fundit. Skënderbeu e Markopoulo luajnë prej orës 17:30, ndërsa Drita e Galatasaray prej orës 20:00.