Gjilan

Kurti, Nagavci e Hyseni vunë gurthemelin e çerdhës së fëmijëve në Gjilan

Kryeministri Albin Kurti ka hedhur gurthemelin e një çerdhe në Gjilan, duke shpërfillë kështu urdhrin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’u paraqitur sot në Prokurorinë Speciale.

Kurti do të duhej që në ora 10:00 të shkonte në Prokurorinë Speciale, megjithatë ai në agjendë e caktoi që të marrë pjesë në hedhjen e gurthemelit të një çerdheje rë re në Gjilan.

Bashkë me të ishin edhe bashkëpartiakët e tij – ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, si dhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

Ndërkohë në Prishtinë, para Prokurorisë Speciale, ishin mbledhur një numër mediash në pritje të kryeministrit Kurti për të parë nëse ai do të zbatonte udhrin e gjykatës.

Të premten e 28 shkurtit, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, tha se gjykata ka obliguar kryeministrin Kurti që në cilësinë e dëshmitarit të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K. që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, kishte thënë Gashi.

Zyra e Kurtit para pak ditësh i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes një letre ku i kishte kërkuar asaj që ta urdhërojë Prokurorinë që dëshmia të merret në Kryeministri.

Kurti tha se kërkesa e tij për t’u intervistuar në zyrën e tij bazohet edhe në raste të mëhershme, por nuk ka përmendur ndonjë rast se kur ka ndodhur kjo. Ai refuzon të shkojë në Prokurori me arsyetimin që kryeministri i Kosovës të mos bëhet lajm botëror e që të krijohet përshtypja se po dyshohet për një rast korrupsioni.

Më 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.

Hajdari ka thënë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk ka dhënë më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo e ka akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Kurti i pati dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

You Might Also Like