LAJME

Kush ishte kryeshefi i parë i Komunës së Gjilanit ?

Kryeshefi i parë i Komunës së Gjilanit, pas luftës së vitit 1999, ishte Enver Muja. Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e mbajtur më 22.12.2000, duke u bazuar në Rregulloren 2000/45 mbi vetëqeverisjen e komunave të Kosovës, nxori vendimin për emërimin e kryeshefit ekzekutiv, pozitë kjo që iu besua Enver Mujës, i cili më vonë do të rizgjidhet edhe për një mandat tjetër.

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, paraprakisht kishte formuar kolegjin, i cili do ta ndihmonte kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, për emërimin e kryeshefit ekzekutiv, në përbërje: Beqir Shaqiri, Xhelal Selmani, Musli Maloku, Fahri Nuhiu, Sokol Haziri, Ramiz Selimi, Levent Gash, Bob Simons.

Si ekonomist me përvojë, Muja ka kontribuar në organizimin e pushtetit paralel, gjatë kohës së okupimit, në veçanti në organizimin e Këshillit për Financim. Kurse pas luftës çlirimtare, për dy mandate e ka udhëhequr ekzekutivin e Komunës së Gjilanit.

Këtë detyrë, përkohësisht e kanë ushtruar më vonë edhe Zijadin Maliqi e Fadil Osmani. Me ligjin e ri për qeverisjen lokale, Komunat nuk kanë më kryeshef ekzekutiv.

Enver Muja ka ndërruar jetë në tetor të vitit 2014. /Ilmi Musliu/

You Might Also Like