Viti

Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti mbledhjen e gjashtë të rregullt

Kuvendi komunal i Vitisë, sot ka mbajtur mbledhjen e gjashtë të rregullt, ku është diskutuar për disa pika me rëndësi, e ndër cilat, ajo e Kornizës afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2018-2020, ka qenë pika që është diskutuar më së shumti, ndonëse shpesh pati mos pajtime mes këshilltarëve edhe jashtë temës së paraparë. Para se të diskutohet për pikat e rendit të ditës, këshilltarët kanë parashtruar pyetje dhe kanë shprehur interesim për projektet që janë duke u realizuar në komunën e Vitisë.

Duke prezantuar propozim vendimin për shqyrtimin dhe miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB), 2018-2020, drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Ibrahim Rama, theksoi se Korniza Afatmesme Buxhetore është një proces në të cilën përfshihen aktivitetet e komunës së Vitisë dhe Drejtorisë së Financave dhe Zhvillimit Ekonomik. Duke i bërë një krahasim të buxheteve dhe rritjet që parashihen të jenë në vitet e ardhshme, krahasim me ato që edhe kanë kaluar, Rama tha se në vitin 2016 kemi pasur një buxhet prej 9,487.984 euro, në vitin 2017 kemi 10,019.298, në vitin 2018 do të kemi 10,735.075, në vitin 2019 do të kemi 11,504.659, si dhe në vitin 2020 12,558,582 euro.

“Në bazë të planifikimit të bërë nga viti 2017, grandet për komunën e Vitisë si tërësi do të shënojnë rritje për 7.17%, 715,777 euro”, tha Rama. Me gjithë propozimet dhe sugjerimet që iu dhanë nga këshilltarët e KK-së, kjo pikë u miratua me shumicë votash dhe 5 abstenime. Në këtë mbledhje u miratua propozimi vendimi për shqyrtimin dhe miratimin për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër pronën e paluajtshme të Komunës Kompanisë KKDFE sha KEDS J.S.C për vendosjen e trafove elektrike, si dhe propozim vendimet për shpalljen e Zonave në interes të përgjithshëm në Drobesh dhe Radivojc./Aziz Zuka

You Might Also Like