Sportet me dorë

Lorik Ilazi, trajner i trofeve

Rrallëkush mund të krenohet se ka fituar më shumë trofe se sa Lorik Ilazi, kryetrajner i KV Drita – femrat.

Ishte gëzuar shumë kur si nxënës në shkollë të mesme, si lojtar i KV Drita kishte fituar titullin e parë të Kosovës në Volejboll, atëbotë para luftës, po si lojtar menjëherë pas lufte duke qenë pjesë e Dritës kishte ngritur edhe trofeun e Kupës së Kosovës, të parin në liri, por sukseset më të mëdha do t’i arrinte si trajnerë edhe atë 22 trofe të ndryshëm, duke e bërë atë trajnerin më të suksesshëm, gjë për të cilën disa herë ishte shpallur më i miri në Gjilan, por edhe në nivel vendi. Ai edhe sot i gëzohet çdo fitoreje sikur kur ishte i ri, ruan urtinë kur i duhet ekipit, shpërthen kur duhet motivuar lojtaret, ka zgjidhje kur duket si i ka të mbyllura të gjitha rrugët, thjeshtë është model se si duhet të jetë një trajner, shkruan kryelajmi.com.

Trajneri Lorik Ilazi nuk i frikësohet punës, ai me lojtare të ndryshme ia doli që të shpallet kampion shumë herë duke fituar bindshëm. Edhe atëherë kur dukej se ekipi i tij kësaj radhe do të duhej të pajtohej të jetë i dyti, atë fije të hollë shprese që mbetej, Lorik Ilazi në motivim për fitore e këtë më së miri e dëshmoi sivjet si në Kupën e Kosovës ashtu edhe finalet për titull kampion, kur ekipi i tij në të dy rastet u ringjall si feniksi për të triumfuar bindshëm.

Krejt këto rezultate sipas Lorik Ilazit erdhën falë punës së palodhshme, falë lojtareve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e mbështetën kudo dhe kurdo, andaj ky punëtor i palodhur, krejt këtë besim, atyre që e mbështetën e përkrahën dhe qytetarëve të Gjilanit ua ktheu me suksese, duke e bërë të lumtur një qytet të tërë.

Vitrinat e Dritës kanë marrë pamjen e një muzeu kupash, medaljesh, mirënjohjesh e çka jo tjetër, vetëm kupa me vlerë janë 22, që është e arritur e madhe.

Siç thotë Lorik Ilazi, ndër vite KV Drita, sa ai ka qenë kryetrajner ka fituar 22 trofe, Kampionë të Kosovës – 7 herë edhe atë në vitet 2015/2016, 2016/2017, 2017/2018, 2018/2019, 2020/2021, 2021/2022, 2022/2023.

Shtatë herë fitues të Kupës, në vitet 2014, 2015, 2016, 2017, 2020, 2022, 2023,

Kupa e FVK-së  të fituara janë në vitet 2015, 2016, 2017, 2018.

Fitues i Superkupës më 2015, 2018, 2019, 2021.

Ai me ekipin e tij ishte pjesëmarrës edhe në garat ndërkombëtare si në “Champions League”, në “CEV Cup” , në “Balkan Cup”, në “Challenge CUP” edhe atë disa herë, kurse nuk duhet harruar edhe sukseset e tij në cilësinë e përzgjedhësit të Kosovës në garat ndërkombëtare.

Lorik Ilazi, ky vjelës i kupave dhe medaljeve ka ende për t’i dhënë shumë volejbollit të Kosovës, siç i ka dhënë deri më tashti shumë lojtare, të cilat janë produkt i punës së tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij./kryelajmi.com/.

You Might Also Like