Në rrethanat e një gjeopolitike të re dhe gjeostrategjike për Ballkanin gjithsesi që çështja e Luginës së Preshevës duhet trajtuar si pjesë e saj gjegjësisht e etnikumit shqiptar. Në këto rrethana politike çështja e Luginës së Preshevës duhet trajtuar si tërësi territoriale me gjithë kompaktësinë e saj dhe as që duhet menduar apo lejuar që në mënyrë parciale të vendoset në tavolinën e bisedimeve. Jo rastësisht një numër i madh ish diplomatëve ndërkombëtar dhe akterëve aktiv të politikës shqiptare kanë shprehur shqetësimin se Lugina e Preshevës do të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, por jo si tërësi me Komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë por atë duke e përshkuar përmes “Hekurudhës” që e përshkon një pjesë të Preshevës dhe Bujanocit.
Kjo qasje ndoshta që mund të duket edhe hipotetike por tashmë nga shumë burime të besueshme vetëm se në agjendën ndërkombëtare është diskutuar mes palëve në negociata, gjithsesi do të sillte destabilizim politik të rajonit dhe për më tepër jo që nuk do të zgjidhte problemin politik të Luginës së Preshevës por atë do të e fuste në një krizë edhe më të rrezikshme atë të një konflikti të ngrirë dhe që do të ishte vazhdimisht rivalitet mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë aspekt vetë pozita gjeografike e Preshevës dhe Bujanocit dhe nga përbërja e strukturës etnike e popullatës shqiptare do të pamundësonte një tërheqje të një vije të re kufitare përmes asaj që po pretendohet “Hekurudhë”. Është një fakt se Lugina e Preshevës pasurin më të madhe të saj ka pikërisht në pjesën nën hekurudhën e saj e që në fakt po pretendohet ti mbetet Serbisë gjegjësisht mbetet Autostrada E-75 që është nyja ballkanike. Po ashtu po mbeten pikërisht me dhjetëra fshatra shqiptare të pastra etnike nën pjesën e hekurudhës dhe gjithsesi e tërë komuna e Medvegjës përjashtohet nga kjo skenë. Nga ky korridor Serbisë nuk po i humbet dalja në Egje por se vetëm po e zgjeron atë edhe nga Veriu i Kosovë. Serbia së paku historikisht që nga Kongresi i Berlinit e deri më sot është munduar ti mbaj nën sferën e influencës së saj daljet në Adriatik dhe Egje.
Popullata e Luginës së Preshevës dëshminë më të mirë për bashkëngjitjen me Kosovës si tërësi kompakte e ka Referendumin e saj të mbajtur 1992.
Ata lider politik sidomos nga Kosova që e kanë mbushur vetëm tani së fundmi gojën plotë Preshevë gjithsesi duhet këshilluar se Lugina e Preshevës duhet vetëm si tërësi territorial që e ka, ti bashkohet Kosovës dhe assesi në lojëra për ndarjen e saj. Pasi që po pikërisht këta lider mbi njëzet vite gjenden në skenën politike të Kosovës dhe mund të themi asgjë nuk kanë bërë për çështje e Luginës së Preshevës bile për më tepër kanë penguar me mekanizmat e institucioneve të Kosovës çdo iniciativë apo celulë nacionaliste shqiptare që ka vepruar në Kosovë për çështje e Preshevës edhe atë vetëm për një çmim shumë të ultë atë për tu treguar para bashkësisë ndërkombëtare si të “dëgjueshmit e besnikët” e saj.
Në çështje e Luginës së Preshevës duhet gjithsesi të inkuadrohen elita intelektuale e politike e kësaj ane pasi që është në numër të konsiderueshëm e madhe dhe gjithsesi këtu duhet marr mendimin këshillues të Akademive Shkencore nga Kosova dhe Shqipëria por
duke mos lënë anash sidomos Tiranën zyrtare pasi që më shumë se Kosova do të ishte kompetente të ishte pjesë e këtyre negociatave. Vetëm nga kjo përbërje mund të besohej një zgjidhje e drejt dhe e qëndrueshme për rajonin dhe çështjen e Luginës së Preshevës e cila është e pazgjidhur.
Valon Jashari: * Ma.sc. Historisë, dhe ish-Kryetar i “Lëvizjes së Lirisë”, Lëvizje që vepron në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe aktivist për të drejtat e shoqërisë shqiptare në Ballkan