Gazetari Sylejman Ismajli ka mbërrirë moshën e pensionimit, shkruan kryelajmi.com. Ai u lind në vitin 1960 në Kopërnicë të komunës së Dardanës. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Gjilan. Ka përfunduar Shkollën e Lartë Komerciale. Fillimisht kishte punuar në Kombinatin e Tekstilit “Integj” në Gjilan në cilësinë e ekonomistit. Punën i si gazetar i sportit e ka filluar në vitin 2002 në Televizionin Lokal MEN në Gjilan, ku për pesë vite me radhë ka udhëhequr redaksinë e sportit, duke përgatitur storiet dhe duke komentuar të gjitha ndeshjet që zhvilloheshin në Gjilan, por edhe jashtë Gjilanit. Ai ishte edhe redaktor i sportit në këtë televizion. Prej vitit 2005 ishte korrespondent i sportit në të përditshmen “Koha ditore”, gazetë në të cilën punoi deri në vitin 2011, për të kaluar më pas në të përditshmen sportive “Sport Plus”. Ka punuar edhe në Gazetën Sport, rajonipress.com dhe gazetën elektronike kryelajmi.com. Për punën e tij në informimin sportiv katër herë është shpallur gazetari më i mirë i sportit, mirënjohje të cilin e ndanë Drejtoria për Kulturë, Rini e Sporte në Gjilan. Aktualisht jeton dhe vepron në Gjilan, ku vazhdon të ushtrojë profesionin e gazetarit sportiv në disa gazeta online dhe duke shkruar analiza në cilësinë e opinionistit. Ai është shpërblyer me mirënjohje edhe nga shumë klube sportive, federata të ndryshme të sportit e shoqata.
Gazeta kryelajmi.com dhe lexuesit e saj i dëshirojnë jetë të gjatë dhe të lumtur gazetarit Sylejman Ismajli, i cili gjithsesi se edhe në të ardhmen do të jap kontributin e tij në informim jo vetëm në sport, por edhe me artikuj të tjerë të ndryshëm. /kryelajmi.com/.