Gjilan

Mbyllet “Flaka e Janarit 2024”, i pranishëm edhe shkrimtari Ismail Kadare

Mbyllet “Flaka e Janarit 2024”, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, ia ndan çmimin kryesor të manifestimit, poetes Naime Beqiraj

Gjilan, 31 janar 2024 – Me një ceremoninë madhështore zyrtare të organizuar në Gjilan është mbyllur manifestimi i 33-të me radhë, “Flaka e Janarit 2024”.

Poezia që mban “firmën” e poetes Naime Beqiraj, e lexuar në “Ora e Madhe Letrare”, me titull “Si nanë e bi’ rreth qafe”, u zgjodh poezia më e mirë dhe fitoi çmimit kryesor të manifestimit “Flaka e Janarit 2024”, të cilin, në mënyrë simbolike, fitueses ia dorëzoi gjeniu i letrave shqipe, shkrimtari ynë, Ismail Kadare.

Në ceremoninë përmbyllëse të “Flakës së Janarit”, kryetari Hyseni, tha se ky edicon shënon 33-vite rrugëtim të qytetit të Gjilanit me manifestimin më unik në trojet shqiptare, në dedikim e nderim të të rënëve për liri përmes krijimeve artistike e kulturore në tërësi, në funksion të vazhdimësisë, në themelet e ngritura mbi gjakun e dëshmorëve, me ndershmërisë e përkushtimin, për ta bërë rrugëtimin tonë të së ardhmes të sigurt.

“Ndërsa jemi në edicionin e 33-të të “Flakës së Janarit”, këtë vit shënojmë edhe 40-vjetorin e rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, e jemi, po ashtu, edhe në 42-vjetorin e vrasjes tinëzare të Kadri Zekës e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla. Ky vit i shënimit të manifestimit “Flaka e Janarit”, ishte i vecantë: kemi zbuluar shtatoren e Kadri Zekës, e cila ka shtuar vlerat e qytetit tonë. Kadriu ishte model e shembull për dashurinë e sakrificën ndaj atdheut dhe për atdheun”, shtoi kryetari Hyseni.

Kryetari Hyseni më tej risolli të cituar deklaratën e familjarit të Kadri Zekës, Zenun Pajaziti, në ditën e inaugurimit të shtatores, kur tha se “…nuk mund të ketë dhuratë më të mirë për Rexhën dhe Nuhiun sesa vendosja e shtatores së Kadri Zekës, përkrah tyre në 40-vjetorin e vrasjes së tyre”.

Në ceremoni përmbyllëse të edicionit të 33-të është paraparë edhe ndarja e çmimeve në të gjitha kategoritë dhe shtyllat përkatëse të manifestimit, ndërsa rrjedha e tërësishme e ceremonisë është përcjell me pika e interpretime të ndryshme artistike.

Një fjalë rasti në këtë ceremoni përmbyllëse të Manifestimit “Flaka e Janarit 2024” e mbajti edhe Leonora Morina – Bunjaku, nënkryetare e Komunës së Gjilanit.

Prezencën e z. Kadare dhe znj. Elena Kadare në këtë shënim të “Flakës së Janarit”, nënkryetarja Morina-Bunjaku e vlerësoi nder të jashtëzakonshëm për qytetin e Gjilanit dhe mbarë Kosovën, si një kujtim artistik në nderim të jetës e veprës së dëshmorëve të rënë për liri.

“Jemi shumë të lumtur e krenare që emrin Shqipëri, Kosovë e shqiptarë në përgjithësi, e keni ngritur në “Olimpin” e kulturës dhe letërsisë botërore. Jemi poaq të lumtur dhe falënderues që Zoti ju fali kështu si ne – shqiptarë! – Ishte i jashtëzakonshëm për ne emri juaj dhe vepra madhore, dhe sonte ja tek ju kemi! – ju shohim, ju prekim dhe ua dëgjojmë zërin”, tha mes tjerash, Morina – Bunjaku.

Çmimet e jurisë së shtyllës Peneli i Flakës 2024”

Juria vlerësuese e punimeve konkurruese në edicionin e këtij vitit “Peneli i Flakës 2024”, në përbërje Burim Myftiu, Jalldëze Mustafa dhe Jetullah Sulejmani, në bashkëpunim me nikoqirin, Avni Behluli, ka vlerësuar me unanimitet, me sa vijon:

Çmimi Blerës “Peneli i Flakës” – fitoi Gani Sadiku për pikturën “Skënderbeu në mes shqiponjash”

Rezultatet e punimeve të përzgjedhura fituese “Peneli i Flakës 2024”:

Çmimi i parë: Vjosa Bujari Maliqi

Çmimi i dytë: Agron Pollovina

Garat në enigmatikë:

Juria profesionale për vlerësimin e zgjidhjes korrekte të enigmave, e përbërë nga:

Skender Tullumi, Xhelal Salihu dhe Shemsedin Kryeziu, zgjodhi tri vendet e para në disiplinën, zgjidhja e enigmave, të cilat do të shpërblehen me mirënjohje, derisa fituesit të vendit të parë iu nda plaketa tradicionale e “Flakës së Janarit 2024”.

Vendi i Parë: Haki Llullaku

Vendi i dytë: Agim Ajvazi

Vendi i tretë: Ilijaz Hasani

“Yjet e Flakës 2024”

Juria në përbërje: Sami Piraj, kompozitor, profesor i muzikës e kritik muzikor, Arta Haziri Nuhiu profesoreshë e muzikës dhe drejtoreshë e festivaleve “Mollëkuqet” e “Rising Stars” dhe Shqipe Spahiu, redaktore e programit për fëmijë në RTK, kanë ndarë tri çmime speciale dhe çmimet e vendit të parë, të dytë dhe të tretë.

Sara Rexha, është fituese e çmimit të parë të Festivalit të Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës”. Me vendin e dytë u nderua Leart Isufi dhe me të tretin, Luiza Koci.

Ndërsa, me çmime speciale u nderuan këngëtarët: Kenza Ismajli, Luna Salihu dhe Rita Rexhepi.

Fest Flaka

Çmimi i parë – Erblin Hoxha – Kënga “Unë ty të kam dashtë”

Çmimi i dytë – Adnan Leka – “Çohuni djema”

Çmimi i tretë – Urata Gashi – “Baresha”.

Përzgjedhja e më të mirëve të festivalit është bërë nga juria profesionale në përbërje: Lule Elezi, pianiste, Shpresa Gashi, soprano dhe Rreze Kryeziu – Breznica, muzikologe.

Festivali i dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës 2024”

Çmimi për inovacionin teatror më të mirë: Bekim Korça, skenograf i shfaqjes “Shtëpia e Zotit”;

Çmimi për aktoren më të mirë: Daniela Markaj – aktore në shfaqjen “Abri”;

Çmimi për aktorin më të mirë: Armond Morina – aktor në shfaqjen “Club Albania”;

Çmimi për tekstin më të mirë: Shpetim Selmani – dramaturg në shfaqjen “Club Albania”;

Çmimi për regjinë më të mirë: Ilir Bokshi – regjisor i shfaqjes “Shtëpia e Zotit”;

Çmimi për shfaqjen më të mirë: “Shtëpia e Zotit”, bashkëprodhim teatror nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë, i Kosovës dhe ai shqiptar nga Maqedonia e Veriut.

Pena e Flakës:

Juria vlerësuese e Orës së Madhe Letrare, në përbërje: Sarë Gjergji, Albina Idrizi dhe Arsim Halili. përzgjodhën poezinë fituese të Orës, që doli të jetë poezia “Si nanë e bi’ rreth qafe” e poetes Naime Beqiraj.

Përndryshe, pjesë e aktivitetit të sotëm ishte edhe bërja publike e rezultateve të konkursit anonim letrat të “Flakës së Janarit 2024”. Emin Azemi nga juria e konkursit, vlerësoi se janë vënë në spikamë vlerat dhe prurjet e mirëfillta në poezi e prozë.

Pra, juria profesionale e konkursit anonim letrar, në përbërje, Emin Azemi, Zyrafete Shala dhe Nexhat Rexha ka bërë këtë vlerësim:

Në poezi:

Shpërblimi i parë i jepet poezisë: Etyd për violonçel, shifra Arbereshja

Shpërblimi i dytë poezisë: Në emër të atit, shifra Tenebris Hospes

Shpërblimi i tretë poezisë: Ti nuk e di, prandaj flet, shifra Ezra

Në prozë:

Shpërblimi i parë i jepet tregimit “Në autobus”, pa shifër

Shpërblimi i dytë: Maria Rosseti, Gjon – Luigji

Shpërblimi i tretë: Hija, shifra “Kënga e shiut”

Në fund të ceremonisë z. Kadare dhe znj. Elena Kadare, bënë fotografi me aderues e admirues të veprës dhe krijimtarisë së tij, prezentë në ceremoninë përmbyllëse të Manifestimit “Flaka e Janarit 2024”, me mesazhin e qartë mes rreshtash, në kujtim e nderim të dëshmorëve të të gjitha brezave, si dhe krijuesve e personaliteteve të shquara nga jeta publike, instucionale e kulturore ndër shekuj.

You Might Also Like