Mesfushori Arbër Çyrbja është përforcimi më i ri te nënkampioni i Kosovës në futboll, Gjilani. Çyrbja është edhe lojtari i fundit që transferohet nga Gjilani për edicionin e ri në Superligën e Kosovës në futboll.
Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, të hënën, pak orë pas prezantimit të mesfushorit Çyrbja, ka thënë se ekipi i tij u ka dhënë fund përforcimeve për edicionin 2020/21, që pritet të nisë në vikend.
“Arbër Çyrbja është lojtari i fundit që i bashkohet ekipit tonë para fillimit të sezonit. Besoj se me të jemi të kompletuar”, ka thënë Mezani për KOHËN.
Çyrbja, 26-vjeçar, me Gjilanin ka firmosur kontratë njëvjeçare kurse sezonin e fundit ka luajtur me Teutën e Durrësit, ekip me të cilin e ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Ai karrierë ka bërë edhe te Kukësi e Elbasani, kurse te Gjilani do ta forcojë edhe më shumë repartin e mesfushës.
Çyrbja është vetëm njëri prej tre futbollistëve që kanë bërë karrierë në Kategorinë Superiore të Shqipërisë dhe që i janë bashkuar Gjilanit gjatë këtij afati kalimtar. Krahas mesfushorit Çyrbja, Gjilanit i janë bashkuar edhe portieri Enea Koliçi e mesfushori Ardit Hila, i cili edicionin e fundit ishte në Prishtinë. Gjilani në total ka bërë gjashtë përforcime gjatë këtij afati kalimtar, që sipas trajnerit Mezani ishin të nevojshme.
“Kemi marrë lojtarë për të forcuar pikat ku ishim më të dobët dhe mendoj se kemi bërë përforcimet e qëlluara pasi në këto pozita edhe kam kërkuar të forcohemi. Mund të them se jam i kënaqur me afatin kalimtar dhe tani na mbetet që të dëshmojmë në fushë nëse janë të duhurit, ndonëse jam i bindur për këtë”, është shprehur Mezani.
Me këta tre lojtarë numri i futbollistëve që para se t’i bashkohen Gjilanit kanë luajtur nëpër ekipet elitare të Shqipërisë shkon në njëmbëdhjetë. Te Gjilani ishin transferuar vitin e shkuar edhe: Oltion Rapa, Franc Veliu, Jackson, Erlis Frashëri, Gerhard Progni, Darko Nikaq dhe Tomislav Bushiq e Muhamed Useini.
Trajneri Mezani ka thënë se ishte i detyruar t’i kthente sytë kah tregu i Shqipërisë edhe pse fokusi i tij primar ishin futbollistët nga Kosova. Sipas tij, numri i lojtarëve nga Kosova që ishin në dispozicion ishte shumë i vogël dhe pasi marrëveshjet nuk u finalizuan iu drejtua Shqipërisë.
“Fokusi primar ishte tek lojtarët e Kosovës, sepse e njohin më mirë futbollin kosovar, por numri i atyre që ishin të lirë ishte shumë i vogël pasi të tjerët kishin kontrata me klubet. Për shkak se marrëveshjet nuk u arritën, atëherë u kthyem kah tregu i Shqipërisë. Futbollistët që i kam sjellë i njoh mirë dhe cilësia e tyre nuk vihet në dyshim. Kjo edhe është arsyeja që kemi sjellë kaq shumë lojtarë nga Kategoria Superiore e Shqipërisë dhe deri më tash jemi të kënaqur me atë çfarë kanë treguar në fushë”, është shprehur Mezani. Sipas Mezanit, skuadra e Gjilanit në edicionin e ri do të futet për të synuar trofe. Madje, edhe titullin e kampionit. Në sezonin e fundit Gjilani i kishte pikët e barabarta me Dritën që u shpall kampione falë goldallimit më të mirë.
“Fillimisht pres të aplikojmë një lojë të bukur. Dhe, mund të them se Gjilani tashmë ka krijuar identitet dhe synimet i ka të mëdha. Në sezonin e ri synim është kreu i tabelës, dalja në Evropë pse jo edhe titulli i kampionit”, shtoi Mezani, që pret një kampionat edhe më të fortë me konkurrencë më të madhe.
Skuadra e Gjilanit këtë edicion e nisi me pjesëmarrje në kupat evropiane për herë të parë në histori dhe u eliminua në raundin e parë eliminator të Ligës së Evropës nga APOEL Nicosia.