Futboll

Mirlind Daku lë Gjilanin pa pikë në Podujevë

Një penalti e dhënë për Llapin ka mjaftuar që ballafaqimi i luajtur në Podujevë ndërmjet ekipit vendas dhe Gjilanit të përfundojë me rezultat 1:0.

Gjilani, që ka udhëtuar për rezultat pozitiv në Podujevë është dashur të pajtohet me humbje. Në pjesën e parë të dy ekipet kanë patur raste të mira, por pa ia dalë të shënojnë. Llapi ka rrezikuar në minutën 2 me Namanin, por që topi ka shkuar jashtë. Bërbatovci në minutën 5, gjuajti plogësht e Zhdrella 20 minuta më vonë gjuajti mbi portë. Raste të mira pati edhe Gjilani. Kështu Haxhimusa dy herë u gjet në pozitë të mirë. Në minutën 10 ai gjuajti jashtë e në atë 22 qëlloi pjesën e jashtme të rrjetës, kurse rasti i fundit i takoi Hasan Hysenit të Gjilanit që gjuajti jashtë.

Sapo nisi pjesa e dytë Llapi fitoi penalti, pasi që Kastrati e ndali Dakun në mënyrë të palejueshme. Daku vet e mori përgjegjësinë dhe shënoi gol. Pasi ka pranuar gol Gjilani ishte më aktiv. Në minutën 51 Rusi gjuajti plogësht, në atë 75 Thaçi gjuajti jashtë e dy minuta më vonë Blakqori i Llapit u ndëshkua me karton të kuq dhe në minutën 83 gjilanasit patën rast të mirë të barazojnë, por Bekteshi me kokë gjuajti mbi traversë, derisa Llapi ka mundur të sigurojë fitoren në minutën 87, por Alidema gjuajti jashtë dhe rezultati mbeti i pandryshuar 1:0 për Llapin.

You Might Also Like