Futboll

Muharrem Jashari ishte afër transferimit te klubi holandez

Mesfushori 24-vjeçar Muharrem Jashari ka qenë njëri prej lojtarëve më të mirë në dy sezonet e fundit në Superligën e Kosovës.

Jashari shkëlqimin e tij e nisi te Trepça ’89 duke bërë paraqitje fantastike ku zgjoi interesim të shumë skuadrave nga Kosova dhe jashtë saj, por shërbimet e tij arriti t’i marrë Drita duke i paguar skuadrës mitrovicase më shumë se 80 mijë euro dëmshpërblim.

Ish-mesfushori i Trepçës ’89 ka qenë fantastik në garat evropiane në sezonin e kaluar dhe në këtë sezon duke bërë që të zgjoj interesim nga skuadra të njohura evropiane.

Skuadra e Dritës ia pa hajrin garave evropiane duke e shitur sulmuesin anësor Arbnor Muja te skuadra e Antëerpit për rreth 400 mijë euro dhe duke mbajtur një përqindje në shitjen e tij.

Përveç Mujës, interesim nga skuadrat e njohura evropiane ka pasur edhe për mesfushorin Muharrem Jashari.

Enigma mëson ekskluzivisht se Muharrem Jashari ishte afër transferimit te klubi I njohur holandez, Vitesse.

Vitesse dhe Drita ishin afër marrëveshjes që Muharrem Jashari t’i bashkohej skuadrës holandeze para përfundimit të afatit kalimtar, por pengesë u bë lëndimi që e mori lojtari në xhiron e parë ndaj Trepçës ’89 në Superligë.

Jashari ishte në rrezik që të qëndronte jashtë fushës për disa muajve, por pas ekzaminimeve shtesë doli që 24-vjeçari do të jetë jashtë fushave për 3 – javë.

Enigma mëson po ashtu që Jashari përveç që ishte afër marrëveshjes për transferimin në kampionatin holandez te skuadra e Vitesses, do të ftohej edhe nga Kombëtarja e Kosovës A në ndeshjet e shtatorit ndaj Qipros dhe Irlandës së Veriut.

Pjesmarrja në garat evropiane po e dëshmon që do të jetë trampolinë për futbollistët nga Kosova që t’i synojnë majat në futbollin evropian.

You Might Also Like