Trashëgimi

Muzeu i Gjilanit do t’a ruaj pushkën e rezistencës

sabit  Shkruan: Sabit Rrustemi, QRTK-Gjilan

Stërnipi i Hoxhë Lipovicës dhe përtërirësi i emrit të tij, Isuf Baftjari, sot më 8 dhjetor 2016., dhuratën më të vlefshme familjare e atdhetare, e dhuroi për Muzeun e Gjilanit – pushkën e Hoxhë Lipovicës, Njeriut që deri në frymën e findit të jetës u angazhua dhe luftoi për shiptari

Përmes një sakrifice të madhe e një kujdesi të pashembullt, thuaja unikat, familjarët e Hoxhë Lipovicës – përkatësisht Isuf Baftjarit, arritën që për afro 70 vite ta ruajnë Pushkën e rezistencës dhe gjakimit për liri e Një Shqipni dhe, pak ditë pas zyrtarizimit të Muzeut të Gjilanit, t’ ia dhurojnë këtij Institucioni që, realisht po i mbledh dhe mirëpret këto vlera të traditës sonë kulturore e historike.
Me këtë pushkë, Hoxhë Lipovica do të rezistojë për më shumë se katër dekada e gjysmë. Fillimisht përkrah Idriz Seferit në betejat e shumta për pavarësinë e Shqipërisë, në vitet 1910 – 1912 e, më pas, kundër pushtuesve serbë, bullgarë po, edhe partizanëve komunistë, të cilët ripushtuan sërish Kosovën për dekada të tëra.
Hoxhë Lipovica, përmes tytës së kësaj pushke, do t’i shënjestrojë dhe likuidojë shumë zullumqarë e pushtues të cilët ushtronin terror mbi shqiptarët e Karadakut, sidomos mes viteve 1913 – 1939 po, edhe nga viti 1941 – 1947, deri në momentin kur u dorëzua në besë tek të pabesët, të cilët më pas, përmes një vendimi gjyqësor ( herën e dytë ) e dënuan me pushkatim duke e ekzekutuar, ndërsa djemtë e tij, Selimin e Qazimin, i dënuan me 14 vite njërin e 12 vite tjetrin, të cilat i vuajtën deri në fund.
Përkundër këtyre masave të rrepta dhe çnjerëzore, pasardhësit e Hoxhë Lipovicës, gjetën forcë e kurajë për t’i mbijetuar shumë e shumë sfida jete, madje, edhe për ta ruajtur këtë Monument të rezistencës shqiptare, përkundër torturave shtazarake që u ushtruan mbi ta, sidomos në aksionin famëkeq të armëve po, edhe në vitet e mëpastajme.
Me fitimin e lirisë, pas 12 qershorit 1999, kjo pushkë nxirret nga vendet sekrete ku u ruajt me fanatizëm dhe vendoset në muret e shtëpisë së stërnipit të tij, Isuf Baftjarit, i cili trashëgoi jo vetëm emrin po edhe pushkën e tij, përmes gjyshit Selim e më pas edhe babait Ismet.
Kjo pushkë, nga sot, ju falë Muzeut të Gjilanit dhe publikut të gjerë, për ta kujtuar e rikujtuar ndër breza emrin dhe veprën e këtij atdhetari, i cili tërë jetën e tij dhe të familjarëve të vet, pa e harruar dhe vëllain dëshmor, Rifatin, i rënë në Luftën e Myqybabës më 30 nëntor 1944, e vuri në shërbim të atdheut.

 

You Might Also Like