Albina Girfanova, studente dhe studiuese e gjuhës shqipe, albanologe dhe ballkanologe e njohur u nda nga jeta vetëm një ditë pasi mbushi 60 vjeç.
Siç mësohet nga albanologu dhe kolegu rus, Aleksandar Novik, pedagogia e Gjuhës shqipe dhe Gramatikës teorike të gjuhës shqipe në degën e Gjuhës shqipe të Fakultetit të Filologjisë në Universitetit të Shën Petersburgut, ka ndërruar jetë pikërisht ditën kur kishte mbushur të 60-at.
Albina Gifranvova ishte lindur në qytetin Vaimar (Veimar) në ish Republikën Demokratike të Gjermanisë, më 1 shkurt të vitit 1957. Pas shkollimit fillor dhe të mesëm, Albina u regjistrua dhe mbaroi me sukses studimet në degën e Gjuhës shqipe në katedrën e Gjuhësisë së përgjithshme të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Sankt Petersburgut, nën drejtimin e tw madhes Agnia Desnickaja.
Prej vitit 2003 dhe deri në momentin e shuarjes ka punuar në katedrën e Gjuhësisë së përgjithshme si mësimdhënëse e Gjuhës shqipe dhe Gramatikës teorike të gjuhës shqipe, si dhe ushtrimeve praktike nga gjuha turke, duke vazhduar kështu traditën e albanologeve të shquara nga ky institucion.
Gjatë viteve 90-të Albina ka qenë pjesëmarrëse e Seminarit të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë dhe është dalluar me simpati ndaj shqiptarëve, gjuhës, historisë dhe kulturës së tyre.
Ne na mbetet vetëm ta nderojmë kolegen dhe miken Gifranova për kontributin dhe për përkushtimin e treguar çdo herë ndaj botës shqiptare, kurse familjes i shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e bijës, bashkëshortes, nënës së dashur.
z. Albina Gifranova do të varroset të enjten në varrezat e qytetit në Santk Petersburg.
/Selim Sylejmani/