Gjilan, 14 qershor 2019 – Është inauguruar sot renovimi i Shtëpisë e Kulturës në fshatin Përlepnicë, e cila do ta mbaj emrin e heroit Zija Shemsiu dhe të profesiorit, shkencëtarit dhe kimistit më të madh të regjionit, Xhavit Ahmeti.
Kryetari Lutfi Haziri, tha me këtë rast se në sallën e kësaj shtëpie është bërë rezistenca politike, aktivitetet kulturore, Flaka e Janarit dhe festat e 28 Nëntorit.
“Në Përlepnicë sot kemi ardhë ‘me la’ një borxh të vjetër. Me këtë shtëpi nuk ka qenë e lidhur vetëm Përlepnica e Gjilani, por krejt shqiptarët e trojeve etnike kanë ardhur në këtë sallë. Këtu është bërë rezistenca politike, janë mbajtur aktivitetet kulturore, Flaka e Janarit dhe festat e 28 Nëntorit. Janë shënuar të gjitha aktivitetet për një dekadë të rëndë që e kemi kaluar. Kjo shtëpi do ta mbaj me krenari emrat e dy heronjve, Zija Shemsiu e Xhavit Ahmeti. Ata kanë qenë udhërrëfyesit tanë, mësuesit tanë, të cilët na kanë mënuar për liri deri në sakrificë. Krenari dhe respekt deri në gjunjëzim për veprat e dëshmorëve”, tha Haziri.
“Në çdo familje në Përlepnicë kemi qenë të mirëpritur, duke vazhduar angazhimin e përbashkët dhe sot i kujtojmë dhe i nderojmë të gjithë baballarët tanë dhe ata njerëz të mirë kryefamiljar që nuk janë në jetë, por edhe të gjithë ato familje, nëna e motra që na kanë shërbyer gjithmonë”, ka thënë Haziri.
Fjalë falëndënderimi për kryetarin Haziri me rastin e inaugurimit të kësaj shtëpe ka shprehur vëllai i Zija Shemsiut, Shabani, vëllai i Xhavit Ahmetit, ish ministri Qemajl Ahmeti, zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu dhe anëtari i Asamblesë Komunale nga radhët e
PDK’së, Bujar Nevzati.
Paraprakisht, kryetari Lutfi Haziri bashkë me përfaqësuesit e familjes Shemsiu e Ahmeti, kanë mbjellë fidane në oborrin e kësaj shtëpie.
Përndryshe, me iniciativë të Lutfi Hazirit, salla e Shtëpisë së Kulturës aty do ta mbajë emrin e Zija Shemsiut, ndërkaq biblioteka, emrin e Xhavit Ahmetit.