Klubi i Futbollit Drita në këtë fundvit mund të krenohet me rezultatet e arritura, ngase sërish u paraqit në Evropë dinjitetshëm, në fund të stinorit vjeshtor dimrin do ta kalojë në vend të parë, kurse është në garë edhe për kupën e Kosovës, shkruan kryelajmi.com.
Pa dyshim se këto suksese janë meritë e drejtuesve të klubit, shtabit teknik, lojtarëve e tifozëve, por gjithësesi se një kontribut të madh e dhanë edhe donatorët dhe gazetarët e sportit, andaj pikërisht për ta, në VALI RANCH AND CONGRES CENTER në shenjë falënderimi ekipi bardh e kaltër ka organizuar një mbrëmje të fundvitit.
Siç është thënë në këtë mbrëmje, tash e tetë vite, FC Drita është ndër klubet me të organizuara në Superligën e Kosovës, në secilin vit arriti që të paraqitet në Evropë dhe është i vetmi klub nga Kosova që ka luajtur në të tri kompeticionet më të mëdha që organizohen nga UEFA për klube, Championes League, Europa League dhe Europa Conference League. Për këto vite ajo dy herë ishte shpallur kampione, ishte nënkampione e fituese e Superkupës, klubi me koeficientin më të lartë nga të gjitha të tjera dhe klubi më i ranguar mbarëkombëtar.
Pa dyshim se sukseset e FC Drita janë të lidhura me emrat e kryetarëve Valon Murseli dhe Flamur Bunjaku, por siç është thënë FC Drita ka nevojë edhe për afaristë, të cilët i ndihmuan këtij klubi që të ngjitet në majat më të larta.
Valon Murseli, kryetar i ka falënderuar të gjithë për mbështetje, duke thënë se “çdo fitore e jona është edhe e juaja dhe jemi me fat që ju kemi”, andaj u ka dëshiruar të gjithëve një mbrëmje të këndshme.
Feti Murseli, drejtor i FC Drita ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan FC Dritën dhe i cilësoi pjesë e suksesit të këtij klubi. “Ne ju kemi borxh shumëherë, andaj shpesh me mundësitë tona po mundohemi që të ju nderojmë gjatë ndeshjeve që po luajmë në Evropë, kurse po të kishim Stadiumin e Qytetit do të ishte krejt më ndryshe”, ka thënë drejtori Feti Murseli.
Për donatorët e FC Drita u dhanë mirënjohje e dhurata, të cilat u ndanë nga drejtues të FC Drita./kryelajmi.com/.