Gjilan

Në Gjilan vihet gurthemeli i Qendrës së Mjekësisë Familjare për lagjen Arbëria, merr pjesë edhe kryeministri Kurti

Gjilan, 10 tetor / Në Gjilan është vënë sot gurthemeli i Qendrës së Mjekësisë familjare për lagjen Arbëria, ku pos kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, si nikoqir i këtij aktiviteti, ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ambasadori i Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al-Marri si dhe Esam Dabab, drejtor gjeneral i organizatës Qatar Charity, që është donator i këtij projekti.

Kryeministri Kurti tha se është kënaqësi për të që sot ndodhet në Gjilan me rastin e përurimit ë gurthemelit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen Arbëria, një lagje e cila moti ka pasur nevojë për këtë qendër, për shëndetin publik, për pacientët, po gjithashtu edhe për mjekët dhe infermierët që do të shërbejnë këtu.

Kurti ka falënderuar përzemërsisht shkëlqesinë e tij, ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al-Marri dhe gjithashtu organizatën Katar charter për mbështetjen, për donacionin, për mundësimin e këtij gurthemeli.

‘Shpresoj që me ambasadorin Al-Marri do të vijmë sërish këtu që ta inaugurojmë hapjen e Qendrës së Mjekësisë Familjare, pra që të vijmë gjithmonë për gëzime dhe të mos kemi nevojë të vijmë për shërbime këtu. Mirëpo të gjithë ata që do të kenë nevojë për shërbime, do t`i kenë kushtet e duhura në një hapësirë prej 373 metra katrorë, ku do të ofrohet kujdesi i mjekëve tanë”, ka thënë kryeministri.

Kryeministri Kurti ka falënderuar edhe kryetarin e Komunës, Alban Hyseni për punën përgatitore që ka bërë për të ardhur deri në këtë ditë për ta vënë gurthemelin e Qendrës së Mjekësisë Familjare për lagjen Arbëria në Gjilan.

Ndërkaq, ambasadori i Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri tha se kjo qendre shëndetësore është dhuratë nga popullimi Katarit për popullin mik të Kosovës.

Përndryshe, ambasadori Al-Marri i ka vlerësuar solide marrëdhëniet mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Katarit dhe ne bëjmë të gjitha përpjekjet e munduara që këto marrëdhënie t`i zhvillojmë më tej, duke nënvizuar se ky nuk do të jetë projekti i vetëm, gjë që e ka pohuar në fjalën e tij edhe drejtori gjeneral i organizatës Qatar Charity, Esam Dabab.

Kurse kryetari i Komunës, Alban Hyseni, në cilësinë e nikoqirit, pasi ka falënderuar kryeministrin, ambasadorin dhe drejtorin e Katar, për pjesëmarrje në këtë akt solemn, ka thënë se lagjja Arbëria, ku sot filloi ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, është një ndër lagjet më të mëdha të qytetit ku ka gravitim edhe nga zonat tjera të qytetit dhe fshatrat përreth.

“Janë diku rreth 20 mijë shërbime që ofrohen në vit në qendrën ekzistuese të Mjekësisë Familjare, me ç`rast me infrastrukturë të re, me mundësi më të mira, me kushte shumë më të favorshme, edhe cilësia e shërbimeve do të rritet, por sigurisht edhe numri i tyre”, ka thënë kryetari Hyseni.

Për më tepër, ai tha se ky është projekti i parë që po realizohet me këtë organizatë, ndërkohë që projekte të reja pret në të ardhmen.

You Might Also Like