Libri

Nisi “Vjeshta Letrare e Gjilanit”

Ka nisur Edicioni i katërmbëdhjetë të “Vjeshtës Letrare të Gjilanit”, manifestim kulturor ky që tradicionalisht mbahet në Gjilan, në Bibliotekën “Fan S. Noli”, shkruan kryelajmi.com.

Sabit Rrustemi, drejtues i kësaj ngjarje kulturore, ka theksuar se vjeshta në Gjilan nuk vije pa “Vjeshtën Letrare të Gjilanit”, e cila do të ketë aktivitete për dy muaj e gjysmë, në të cilin promovohet libri, autori e lexuesi. Rrustemi tha se ky edicion do të jetë i pasur, ndër më të pasurit ndonjëherë, ngase për një vit pati shumë botime të reja, kryesisht nga Kosova Lindore, por edhe nga diaspora. Poeti Sabit Rrustemi ka shpalosur kalendarin e sivjetmë, i cili do të jetë shumë i begatë dhe që rëndom do të mbahet të shtunave në orën 12.

Qazim Azizi, drejtor i Bibliotekës “Fan S. Noli” në cilësinë e nikoqirit, ka thënë se ndjehet shumë i lumtur kur vije vjeshta, ngase në bibliotekë vijnë librat, autorët, lexuesit e miqtë e librit.

Prend Buzhala, poet paraqiti disa nga librat që janë  botime të Shtëpive Botuese “Rozafa” dhe “Ditapress”, në punimin me titull “Një kuintet poetik nga Kosova Lindore”. Ai foli për librat e Nexhat Rexhës – “Prangosje kohësh”, Mehmetali Rexhepi – “Urtiana”, Sabile Keçmezi Basha – “Metamorfozë”, Sevdail Hyseni – “Koka pa tru” dhe Ramadan Mehmeti – “Këmishë e ndezur”.

Anton Nikë Berisha është ndalur te libri më i ri i Albina Idrizit – “Vogëlushi Je dhe Plaku Ta, një libër për fëmijë, por që siç theksoi Berisha libër shumë interesant që flet për rrjedhën e jetës. Zyrafete Shala dhe Fadil Abazi në emër të Klubeve Letrare që drejtojnë kanë uruar organizatorët për “Vjeshtën Letrare të Gjilanit”, kurse kritiku letrar Sherafredin Kadriu, paraqiti një vështrim kritik për dhjetë librat e botuara nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, duke u ndalur për secilin nga librat me një vështrim të shkurtër, libra këtë dha të tjerët, që sigurisht se kanë zënë vend në “Vjeshtën Letrare të Gjilanit”./kryelajmi.com/.

You Might Also Like