Viti

OJQ-të e komunës së Vitisë shqyrtuan prioritetet e programit ReLOad

Organizatat e Shoqërisë Civile të komunës së Vitisë, kanë marrë pjesë sot në një diskutim publik për ndarjen e fondeve në kuadër të programit “ReLOad-Programi për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor”, që financohet nga BE dhe zbatohet nga UNDP. Mentor Rexhepi shef i Zyrës për Investime, ka bërë të ditur se ky program ka për qëllim mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile dhe i cili realizohet në kuadër të marrëveshjes së mirëkuptimit të nënshkruar mes komunës së Vitisë dhe Projektit të programit rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOad) që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Ai ka theksuar se qëllimi i takimit të sotëm është shqyrtimi i 5 prioriteteve që përcaktojnë kriteret për ato Organizata që duan të jenë përfituese të këtyre fondeve. Ndërsa Fjolla Raifi përfaqësuese e Programit ReLOad, ka njoftuar se projekti është 3 vjeçar dhe përfshin 5 shtete të rajonit. Ajo ka vlerësuar punën e mirë të Institucioneve komunale ku së bashku me OJQ-të kanë treguar rezultate në realizim të projekteve.

E kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, është shprehur falënderues për përfaqësuesit e programit ReLOad, që po jep mundësin shumë të mirë Organizatave të Shoqërisë Civile të komunës së Vitisë , për zhvillim e promovim. “Është një program me rëndësi të madhe, që do të mbështesë gjitha grupet që janë pjesë e shoqërisë civile , duke përfshirë edhe grupet teatrale, sportive, etj. Besoj shumë se do të ndihmoj shumë në këto fusha. Ne do të jemi në shërbim tuajin, që ju plotësoni kriteret që kërkohen në këtë program “ , tha kryetari Sokol Haliti. Në këtë diskutim publik ku pati edhe pyetje nga të pranishmit, u prezantuan edhe 5 prioritetet për grupet që mund të përfitojnë fondet e këtij programi me sa vijon: Zvogëlimi dhe zbutja e papunësisë tek të rinjtë dhe gratë e komunës së Vitisë, Zhvillimi, intensifikimi dhe promovimi i aktiviteteve kulturore e sportive të komunës së Vitisë, rritja dhe promovimi I prodhimeve vendore, rritja e pjesëmarrjes së publikut në proceset vendimmarrëse, si dhe mirëmbajtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut, me theks të veçantë të personave me aftësi të kufizuara. Aziz Zuka

You Might Also Like