Takohen kreu i Komunës së Gjilanit dhe kreu i Gjykatës Themelore të Gjilanit, diskutojnë shqyrtimin e lëndëve për pagat jubilare të arsimit, shujtat dhe kompensimet e udhëtimeve 👇⚖️
Bashkëpunimi mes dy institucioneve ka qenë në fokus të takimit, mes Kryetarit Salihu dhe Kryetarit Hyseni
Gjilan, 05.10.2022 – Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan Venhar Salihu, i shoqëruar edhe nga nënkryetari, Rilind Sermaxhaj dhe Shefi i Departamentit të Përgjithshëm, Berat Spahiu kanë vizituar Komunën e Gjilanit, me këtë rast janë pritur nga Kryetari, Alban Hyseni.
Temë diskutimi në këtë takim, ka qenë mënyra e gjetjes së zgjidhjes së lëndëve të sektorit të arsimit dhe shëndetësisë, që kanë të bëjnë me pagat jubilare, shujtat dhe kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit.
Një numër i madh i këtyre llojeve të lëndëve janë në pritje për t’u zgjidhur në gjykatë, andaj janë diskutuar disa modalitete të zgjidhjes së tyre.
Po ashtu, bashkëbiseduesit kanë rënë dakord për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe eliminimin e barrierave mes dy institucioneve.