ARSIMI

Parlamenti Studentor i UP-së paralajmëron marsh kundër asociacionit

Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëmshekullor, përveç se tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës.

Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997, që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj.

Ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme, përsëri është i domosdoshëm mobilizimi e organizimi studentor për të kundërshtuar një të keqe që po provohet të instalohet brenda shtetit tonë.

Asociacioni njëetnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu, sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës.

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë.

Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për asociacionin një etnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë.

Prandaj të mërkurën e 15 shkurtit, përveç se kremtojmë përvjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, MARSHOJMË BASHKË KUNDËR ASOCIACIONIT.

Me këtë rast Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, që të na bashkohen në marshin kundër asociacionit njëetnik.

DATA: 15.02.2023
VENDTAKIMI: Biblioteka Kombëtare
ORA: 16:00

You Might Also Like