OPINION

Pelegrinazhi tek Albi Mall në Gjilan

Shkruan: Avni Rudaku
Vrapi pas Albi Mall-it më ka shkaktuar dhembshuri kah shihja kolona që bllokuan thuajse çdo pjesë të Gjilanit, veçmas në dalje Gjilan-Bujanoc, teksa shihja shumë familjarë me fëmijë e të rritur të tjerë, tinejxherë, të rinj e të reja, me çfarë entuziazmi duronin pritjet e gjata, turmat, acarin, pritjet te dera, ngjitjet shkallëve lëvizëse me aq shumë njerëz si në pelegrinazh, pelegrinazh kapitalist e konsumerist.
Edhe më shumë dhembshuri, kur i shihja teksa dilnin dhe rrallë shihja me qese në duar, pa blerë asgjë e duke u sorollatur. Shihja ndonjë me qese, kryesisht tinejxherë, por edhe ata dhe ato, me një qese të vogël. Çmimet ekstrem të larta, dhe të nesërmen, shumë e kuptueshme, t’i riktheheshin Durrësit, Reginës, Waikiki-t etj. Natyrisht disa shkonin veç të vëzhgonin, disa ta regjistronin për snap, TikTok, instastory, teksa dëgjonin e shihnin aq afër Ylli Limanin duke kënduar – të adhuruar sidomos për lirika dashurie, kryesisht nga nxënës të shkollave të mesme të ulëta e të larta.
Përveç dhembshuri, më shkaktonin irritim, acarim, nervozizëm, indinjatë, pse aq shumë të pasionuar për qendra tregtare e shoping, për pjesëmarrje në turma aq të mëdha?! Pse nuk prisnin disa ditë, kur Albi Mall, do të ishte për kohë të gjatë në Gjilan?! Pse të mos shkonin një ditë tjetër?! Ngarendja me nxitim pelegrinazhi në Albi Mall, më kujtonte edhe pasionin për Big Brother, zbrazjen e qytetit nga Prime, varësinë e tepruar nga skrolli duke parë aq shumë fotografi e video koncize, kryesisht kiç e shund kulturor, dhe në anën tjetër, rezultatet e këqija në PISA, ndaljen e shitjes së gazetave (pavarësisht online, duhet të ketë edhe fizike!), kriza e librit, shpërfilljen e çdo autoriteti deri në rrënim total (demitizimi është në rregull, ama jo dekonstruktimi total), edukimi minimal mediatik, përkushtimi mimimal në shkollim a zanat?!
Pse ndodhi pelegrinazhi tek Albi Mall në Gjilan?
1. Bombardimi mediatik me njoftime.
2. Paralajmërimi për zbritje.
3. Reklamimi i fuqishëm.
4. Nevoja për t’u fiksuar në qendra të reja tregtare, kur ndodhin gjëra të reja.
5. Sfidat financiare dhe të tjera, për të shkuar më shpesh tek Albi Mall në Prishtinë dhe kompensimi me të, kur hapet në Gjilan.
6. Konformizmi social.
7. Pasioni për të ndjekur trendet dhe modën nga ndikimi i fuqishëm i medieve sociale.
8. Prania shumëorëshe online dhe ndikimi nga reklamimi invaziv.
9. Nami i Albi Mall-it në Prishtinë, ndonëse nuk erdhi Zara, Kinemaja… Më së shumti isha gëzuar për kinemanë, pasi Gjilani nuk ka kinema për mbi një dekadë, nga privatizimi jokorrekt, pasi ishte thënë sa e mbaj në mend, se do të bëhej një kinema kur të ndërtohej objekti i ri mbi Teatrin e qytetit.
10. Dëshirë e madhe të ndiqen turmat, dëshira për të qenë ku ka sa ma shumë njerëz. Me pa, me u pa.
11. Ekziston një stereotip i meshkujve, kryesisht të rinj, se në qendra tregtare ka prani të shumë vajzave, dhe atë, shumë të bukura, nxitur edhe nga stereotipi gjinor, se vajzat e duan më shumë shopingun, sesa meshkujt.
12. Dëshira e sinqertë dhe krejt e arsyeshme e prindërve, për t’i gëzuar fëmijët e tyre, pasi i kanë lutur që t’i çonin tek Albi Mall, se krejt bashkëmoshatarët po e diskutonin hapjen e Albi Mall-it, më 8 dhjetor 2023.
13. Jo vetëm në Kosovë, por kudo në shoqëritë konsumeriste e kapitaliste, qendrat tregtare thuajse zëvendësojnë frekuentimin e dikurshëm masiv në tempujt fetarë.
14. Hapja e Albi Mall-it me këngëtarin Yll Limanin, ka rritur interesimin sidomos të tinejxherëve. Jo për Albi Mall-in, por për Yll Limanin.
15. Prestigji social. Imagjinoni sa shumë dëgjon: Unë jam kanë moti te Prishtina Mall; Hej, unë jam kanë bash kur u hap Albi Mall në Gjilan.
16. Nevoja e Gjilanit dhe Anamoravës, të ketë investime të reja, pasi ka mbetur mjaft zonë me pak interesim për investitorët lokalë, të huaj a të mërgatës shqiptare.
17. Monotonia nga përditshmëria për të bërë diçka të re, për të parë diçka të re.
18. Izolimi i gjatë, na ka rritur dëshirat për të parë qendra të mëdha tregtare në vendin tonë.
19. Nevoja për argëtim, sa për të dalë me miq, familjarë, në vende si Albi Mall, pasi kaloni një kohë të gjatë, pak duke shikuar, pak duke u përshëndetur blic me njëri-tjetrin brenda qendrës tregtare, ndonjë kafe etj.
20. Rritja e çmimeve, pavetëdijshëm redukton stresin për të frekuentuar qendra të mëdha tregtare, kur ka aq shumë turma konsumatorësh, sepse pavetëdijshëm arsyetohet të mos blesh asgjë, me arsyetimin se shumë radhë, pritje…
Sidoqoftë, një investim i madh, duhet përshëndetur. As nuk duhet tallur njerëzit, sepse tek e fundit, nuk është shkelje ligjore për të nxituar për hapjen e një qendre të re tregtare. As nuk duhet fajësuar prindërit, sepse tek e fundit, nuk ka më kënaqësi, se të gëzosh fëmijët e tu, qoftë për t’i çuar tek Albi Mall.
Duhet kujtuar edhe efektet negative te disa biznese të vogla e të mesme, ku lëvizin konsumatorët, e duke përfituar vetëm korporatat e mëdha dhe paraja nga disa duar, koncentrohet në pak biznesmenë.

You Might Also Like