KULTURA

Pensionohet zyrtari komunal i DKRS-së, Ibrahim Jerliu

Zyrtari komunal i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan, Ibrahim Jerliu, është pensionuar sot.
Ai shërbeu me nder dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm në këtë komunë plot 22 vite, që nga viti 2000.
Siç tregojnë edhe kolegët e tij, Jerliu detyrën e zyrtarit financiar në DKRS e ka kryer me përpikëri, duke qenë i pa kompromis në zbatimin e ligjeve në fuqi.
Kolegët e tij tregojnë edhe si reagonte kur në ndonjë rast kërkesat e palëve apo e zyrtarëve rezultonin të ishin jo në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Komunës.
“Nuk bëhet kjo punë kurrë. Sa të jem unë këtu jo, e mandej s’e di, reagonte i nervozuar kur e shihte ndonjë kërkesë të pavend”, tregon njëri nga kolegët e tij, zyrtar komunal i Gjilanit.
Ibrahim Jerliu është shembulli më i mirë se si respektohet pozita zyrtare, se si punohet me ndershmëri dhe profesionalizëm për të mirën e përgjithshme.
Përndryshe, Ibrahim Jerliu ka shërbyer edhe si mësimdhënës për tetë vjet, ndërkaq është veteran i UÇK-së.

You Might Also Like