OPINION

Prof. Dr. Muhamet Tërnava, studiues e atdhetar i devotshëm

Shkruan: Mehmetali Rexhepi –

Shkrimi përkujtues i profesoreshë Sadete Muhamet Tërnava, më zgjoi kërshërinë për një qasje të shkurtë përkujtuese për Profesor Dr. Muhamet Tërnavën. Një trajtim i tillë i përmbledhur i bën nder studiuesit e atdhetarit të devotshëm Dr.Muhamet Tërnava, si prind, si njeri, si atdhetar, si studiues “par exelans”. Do të duhej të kishim shkrime të shumta, të gjithanshme, madje shteruese për studimet e Prof. Dr. Muhamet Tërnavës. Besoj, se do të vetëdijesohemi të dimë t`i çmojmë figurat e personalitet e tilla, si për kontributin e tij për dijen analitike e sintetike të historisë, si për guximin e nxjerrjes në pah të së vërtetës për vazhdimësinë pellazge-ilire, arbërore-shqiptare në këto treva të Ilirisë, të emërtuara për qëllime politike Ballkan. Çështje më vete është figura atdhetare dhe njerëzore, një model për brezat e tashëm e të ardhshëm. Kaherë kam dëgjuar për studiuesin, por edhe të përndjekurin Prof. Dr. Muhamet Tërnava… Aq sa emri i Tij, për mua, ishte shndërruar në një legjendë adhurimi e respekti, ndonëse asnjëherë nuk e kam takuar… Kam besim të plotë se brezat e studiuesve të rinj, do t`i qasen trashëgimisë shkencore të Dr. Tërnavës, duke ndjekur hullitë e thella dhe farës së shëndosh që mbolli Ai. Po ashtu, ndoshta edhe njerëzit që lypin votën e popullit, do të kujtohen ta nderojnë, ashtu siç e meriton një studiues i klasit të parë, Profesor Dr. Muhamet Tërnava. Si duket nuk po dimë dhe nuk po duam t`i nderojmë personalitet tona, ngase përpara madhështisë tyre ndjehemi tejet inferiorë! Qoftë i praruar dhe dritë pastë jeta dhe vepra e Profesor Dr. Muhamet Tërnavës! Figura sikurse kjo janë pasuria e intelektit tonë kombëtar!

You Might Also Like