Ramadani: Nesër kryendeshja e xhiros në Podujevë
Në kuadër të javës së 5-të të garave në Superligë nesër takohemi me FC Llapi në Podujevë.
Në hyrje të konferencës me gazetarë, kryetrajneri Zekirija Ramadani tha se neser na pret kryendeshja e kësaj xhiroje.
“Kemi përballë një skuadër që i ka objektivat e njejta me skuadrën tonë. Gjithsesi, mendoj se jemi mirë në aspektin psikologjik, pasi xhiron e parë patëm një fitore ndaj Ferizajit dhe patëm paraqitje të mira në Evropë, ndërsa FC Llapi është në një krizë rezultatesh por shpresoj që ajo krizë të mos mbaroj me neve. Ne shkojmë për fitore, kam besim te futbollistët, shpresojmë që të gjejmë formacionin më në formë për të dhënë maksimumin dhe të kthehemi me fitore nga Podujeva”, ka thënë fillimisht Ramadani.
Sa i përket rezultateve në ndeshjet evropiane dhe rikthimin në Superligë, trajneri, Zekirija Ramadani theksoi se futbollistët profesionistë që ka FC DRITA nuk e kanë problem motivimin.
“Unë mendoj që çelësi i suksesit është konkurrenca brenda grupit, sepse nëse njëri mungon apo lëndohet mund të zëvendësohet. Sa i përket motivimit, ata janë të gjithë futbollistë profesionistë dhe e din që Evropa mori fund, por ndeshja që zhvillohet neser na dërgon në Evropë. Ndeshjet do t’i marrim një nga një, me shumë seriozitet por siç e ceka konkurrenca e shëndoshë brenda grupit është çelësi i gjithçkaje”, e ka përfunduar këtë temë kryetrajneri ynë.
Trajneri Ramadani tha se është optimist dhe se fjala pesimist nuk ka të bëjë me të dhe klubin që ai drejton.
Ndeshja FC Llapi – FC DRITA zhvillohet nesër, e dielë, ora 15:00 në Stadiumin “Zahir Pajaziti”, në Podujevë.
Konferencën e plotë mund ta ndiqni në faqen zyrtare të klubit në Facebook: https://www.facebook.com/share/v/yMzzUfP8WaWyNq7r/?mibextid=oFDknk