Libri

Shkolla Normale “Skënderbeu”, akademi e arsimit shqip

Është përuruar libri “Shkolla Normale “Skënderbeu” e Gjilanit 1959 – 1974” e autorëve Shefik Haliti, Ilmi Rexhepi dhe Adem Ademi.

Në përurimin e këtij libri, Tahir Arifi, moderator, ka theksuar se Shkolla Normale “Skenderneu” mund të konsiderohet si akademi e arsimit shqip, duke shtuar se ky është një libër dokumentar, libër mbi arsimin, edukimin, mbi shkollën shqipe.

Nuhi Rexhepi, recensent, ka thënë se në këtë libër ka interpretim objektiv të fakteve, duke rikujtuar se përhapja e arsimit dhe e kulturës shqipe ishte shumë e vështirë dhe se kishte hasur në vështirësi të ndryshme, por që falë një plejade mësimdhënësish që tërë jetën ia kushtuan arsimit, u arrit që të krijohen kuadro që bënë shumë për arsimin shqip.

“Sot, sa më shumë që ikin stinët, puna e mësimdhënësve do të rrezatojë edhe më shumë dritë”, ka thënë ndër të tjera, Nuhi  Rexhepi.

Jonuz Dërvodelli, dekan në Fakultetin e Edukimit në Gjilan, që ishte student i gjeneratës së fundit të shkollës normale, ka thënë se Shkolla Normale përgatiti mësimdhënës model e ai ka bërë krahasime me mësimdhënësit e dikurshëm dhe ata të sotëm. Makfire Osmani – Uzunaliq, tha se atëbotë u bë punë e shkëlqyeshme, por që më vonë u la në harresë e tashti falë kësaj monografie tërë ajo punë u nxor nga terri i harresës e mundi nuk shkoi huq.

Rabit Rexhepi, një nga drejtorët e parë të Shkollës Normale “Skënderbeu”, tha se u nxor nga harresa një periudhë e rëndësishme dhe ka spikatur problemet me shkollimin e femrës, duke thënë se edhe në punësimin e femrës arsimi shqip ka luajtur rol me rëndësi. Ai tha se janë bërë përpjekje të pareshtura për sigurimin e kuadrove. Edhe Isuf Jakupi, foli për procesin edukativo-arsimor në Shkollën Normale, kurse Shqipe Haziri, drejtoreshë e arsimit në Gjilan, tha se normalistët ishin modeli më i mirë i mësimdhënësve e ngjashëm është shprehur edhe Rrahman Hajdari, ortoped.

Njëri nga autorët e librit, Shefik Haliti, ka përshëndetur dashamirët e librit  kulturës e arsimit shqip, duke thënë se kanë bërë përpjekje që të hedhin dritë mbi një periudhë të lavdishme të arsimit shqip. Ai ka thënë se i mirëpret vërejtjet e lexuesve dhe se ato do t’i ndihmojnë në kompletimin e këtij libri.

You Might Also Like