Kamenicë

Shtyllat për përfitimin e Energjisë elektrike me forcën e erës kanë ngre shtat në Malet e Kikës

 

Pa energjinë elektrike nuk mund të paramendohet jeta në kohë moderne. Ajo është burim i të mirave për secilin vend dhe mund të prodhohet në disa mënyra. Termoelektranat, hidroelektranat, prodhimi i energjisë solare e forma të tjera janë vetëm disa nga mënyrat për përfitimin e energjisë, por disa nga këto mënyra të përfitimit të energjisë ndotin e shëmtojnë ambientin, disa të tjera janë tepër të kushtueshme, kurse një formë moderne e energjisë kudo në botë sot është ajo e përfitimit me energjinë e erës.

Një formë e tillë e përfitimit të energjisë me turbina të erës, tashti përfitohet edhe në rajonin tonë, në Malet e Kikës mbi Hogosht, ku ka ngre shtat dhjeta shtylla të tilla të larta mbi 100 metra e të cilat me forcën e erës prodhojnë energji elektrike.

Kompania turke “Güriş” këtë të mërkurë ka pasur mysafirë të veçantë, ata ishin nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, të cilët nga afër kanë parë se si përfitohet kjo energji.

“Jemi të lumtur që në këtë vend përfitohet një energji e tillë dhe që mund të jemi në shërbim të qytetarëve. Kompania e jonë ka sistemin e prodhimit dhe atë të turbinave”, ka thënë Ibrahim Akiol, shef i  punëve administrative.

 

Profesori Saud Rrahmani dhe nxënësja Festina Kurteshi kanë shkruar përshtypjet e tyre në librin e përshtypjeve, të cilin e kanë përgatitur mikpritësit.

Për sasinë e energjisë elektrike që prodhohet nga turbinat dhe mënyrën e shpërndarjes, ka folur inxhinieri Abdullah Qerkezi, e cila ka njoftuar nxënësit në grupe. Sipas tij kjo energji që prodhohet mund të furnizojë Kamenicën me rrethinë dhe se kapacitetet do të zgjerohen edhe më tej.

 

Më pas nxënësit dhe mikpritësit janë ngjitur tek turbinat e mëdha prej ajrit, ku për mënyrën se si funksionojnë këto turbine ka folur inxhinieri Adrian Morina, i cili është përgjigjur në interesimet e nxënësve që ishin të shumta.

Zëvendësdrejtori i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, Agim Asllani ka falënderuar për mikpritjen dhe ka theksuar se kjo është një përvojë e re për nxënësit e Gjimnazit dhe se kjo mënyrë e energjisë është shumë e dobishme. Ajo nuk harxhon resurset natyrore, nuk ndot ambientin, nuk shkakton dëme dhe është shumë e dobishme.

“Pamë se si përfitohet energjia elektrike me erë, pamë turbinat e teknologjinë gjermane”, tha Asllani që shtoi se gjimnazi ka mbi 1200 nxënës dhe sot ishin vetëm një pjesë e tyre. Ka folur edhe profesori Saud Rrahmani, i cili është interesuar për profilet që punojnë këtu dhe mundësinë e bashkëpunimit me shkollat tona.

Një nga personat kryesor të kësaj kompanie turke, Ibrahim Anameric ka thënë se është mirë që edhe nxënësit po shohin se si prodhohet rryma. Ai tha se ekziston mundësia e marrjes së bursave dhe kjo është një mundësi edhe për nxënësit e gjimnazit. Ai tha se ndajnë bursa për dhjetë nxënës, që mund të studiojnë profilet teknike, kryesisht ato të makinerisë dhe të energjetikës. Sipas tij, Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe po synohet ndërtimi i Kosova C, kurse Kosova A dhe B po shkojnë drejt mbylljes shkaku i ndotjes së madhe. Duhet të ndërmerrren masa që të mos ndotet ambienti. Sipas tij, ky rajon ka erë të mjaftueshme, në Kamenica 1 dhe Kamenica 2, ku mund të prodhohet një sasi e madhe e energjisë,  e cila është shumë e nevojshme.

Nxënësit janë ndarë të kënaqur me këtë vizitë.

You Might Also Like