Futboll

“Skifterat” të revoltuar pas eliminimit të Gjilanit nga Kupa e Kosovës

Tifozët e SC Gjilanit, të njohur si “Skifterat”, kanë reaguar ashpër pas humbjes së skuadrës së tyre në ndeshjen e Kupës së Kosovës ndaj Vllaznimit. Përmes një deklarate të publikuar ata e cilësuan këtë eliminim si të papranueshëm dhe të pafalshëm, duke kritikuar drejtimin e ekipit dhe kërkuar ndryshime të menjëhershme.

Në reagimin e tyre thuhet:

SKIFTERA, KOHA PËR TË FOLUR!

E patolerueshme! E papranueshme! E pafalshme! Me një organizim shembullor, me përgatitje të kryera me kohë, me një klub që po vendos standarde në futbollin kosovar, ne eliminohemi nga Kupa e Kosovës nga një skuadër e një rangu më poshtë në ligë! Dhe nga kush? Nga një ekip që nuk ka bërë as fazë përgatitore, që sjell 6 lojtarë të rinj para ndeshjes dhe me një trajner të sapoardhur para dy javësh!

Mjaft më me eksperimente me klubin tonë! Gjilani nuk është fushë prove! Kjo nuk është thjesht një humbje, kjo është një dështim total!

Skifterat nuk do të rrinë në heshtje! Dashuria për këtë klub është e pakushtëzuar, por as durimi nuk është i pafund. Kjo që po ndodh nuk ka justifikim dhe këtë herë nuk do ta mbyllim njërin sy!

Koha për reagim është TANI!”** Ky reagim vjen pas një disfate të rëndë për Gjilanin, që u eliminua nga Kupa e Kosovës përballë një skuadre të një kategorie më të ulët, një rezultat që ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te tifozët. “Skifterat” tashmë kërkojnë ndryshime dhe nuk pranojnë të qëndrojnë në heshtje për situatën e ekipit të tyre.

You Might Also Like