Blerim Shala, profesor i Kulturës Fizike dhe Sportit në Gjimnazin Natyror „Xhavit Ahmeti“ në Gjilan, ka patur nderin që në emër të këtij kolektivi të vyeshëm, si rrallë ndonjë shkollë në Kosovë, të marrë dy çmime për dy vendet e para që ka zënë në kuadër të sportit shkollor, kampion i Kosovës me femra në pingpong dhe kampion i Kosovës në volejboll në kategorinë e meshkujve.
Këto çmime profesori Blerim Shala, i mori në “Gala Mbrëmjen” e mbajtur në shpalljen e më të mirëve “Laureatët 2024” në “Holliday Resort” në Sllatinë, ku ishin të përfaqësuar të gjithë mësimdhënësit, fitues të garave republikane.
Si rrallëkush, profesori Blerim Shala, me nxënësit e tij, ka ngadhënjyer në dy disiplina të ndryshme dhe me dy kategori të gjinive të ndryshme. Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” pos si vatër e dijes, dallohet edhe si vatër e sportistëve të mirëfilltë, në të cilën punohet shumë e pa dyshim se merita të veçanta në sukseset e sportistëve të kësaj shkolle ka profesori Blerim Shala, i cili edhe në të kaluarën e ka sjellë plot kupa, medalje e mirënjohje. Gjithësesi se lëvdata meritojnë edhe kolegët e tij që gjithashtu kanë dhënë kontribut në këto suksese.
Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është shprehur i lumtur për këto sukeses të nxënësve tanë dhe ka shtuar se shkolla gjithmonë i ka kushtuar rëndësi sportit dhe u ka ofruar kushte me qëllim që të arrihen suksese sa më të mëdha.
Të rikujtojmë se Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” edhe sivjet është kampion në disa sporte në nivel rajonal, andaj me të drejt pritet që vitrinat e kësaj shkolle të pasurohen edhe me kupa të tjera.