Libri

STUHIA POETIKE E NJË BASHKËBISEDIMI METAFIZIKË

Albina Idrizi
STUHIA POETIKE E NJË BASHKËBISEDIMI METAFIZIKË
Pas leximit të përmbledhjes me poezi “Dhembjen lerma mua” të Bleona Arifit, me kthime të herëpashershme nëpër tituj poezish e vargjesh, ndjehesh e përmbushur artistikisht sepse ke të bësh me një libër të arrirë duke harruar se autorja është e re dhe ky ishte libri i parë i saj. Ky libër i saj , për të kushedi të satën herë me radhë, na bind se dhuntia e të shkruarit nuk ka të bëjë me moshën as përvojën. Burimi i saj është në metafizikën e qenies të pamoshë e të pakohë.
Mbi pesëdhjetë poezi, sa përfshihen brenda kopertinave të këtij libri, mahnisin me pjekurinë e vargut, thellësinë e mendimit dhe artilkulimin e veçantë të emocionit. Subjekti lirik i këtyre poezive, që në të vërtetë autoreferon autoren meqë poezitë janë të shkruara në veten e parë, kundron dhe kupton njëkohësisht veten e vet karshi realitetit ku jeton.
Poezia e Bleona Arifit absorbon me një gjuhë të zgjedhur e të matur dezintegrimin e zhgënjimeve e mëdyshjeve deri tek një integrim plot vullnet e shpresë në një hapësirë, qoftë ajo edhe imagjinare, më të bukur e më të denjë: Isha dje kjo e sotmja/ me buzëqeshjen e heshtur që zhagit veten buzëve tua? (Unë dhe Ti)
Libri fillon me kanonizimin e një lutjeje në tri vargje, që vjen edhe si hyrje e përmbledhjes:
Po ndërrova jetë e dashuruar,
më varrosni pa pikë loti
në shpirtin tim binjak.
Autorja rrëfehet tek lexuesi përmes vargjeve të lira të librit sa krijohet bindja se ajo gjatë gjithë kohës ka bashkëbiseduesin përballë në një dialog imagjinar e që nën stihinë emocionale që reflekton poezia bashkëbiseduesi është vetë ai, lexuesi: Për ty i fola diellit,/ luleve, pemëve, natës skëterrë,/ valëve, vetëtimës, yjeve vezullues, qiellit. (Erdhe bashkë me pranverën)
Ajo madje edhe përgjigjet, po me varg, pyetjes së bashkëbiseduesit të heshtur:
….Thjeshtë shkruaj
për t’iu treguar se kjo që shihni
Nuk jam
Por ajo tjetra që po e kërkoj
(Amshueshmërisë së fjalëve)
Të ikësh nga tymi i krijuar
dhe të përfundosh
në avullin e mefshtë mbi fletë
do të thotë të shkruash
(Të shkruash)
Doza e melankolisë që përfshinë pothuaj pjesën më të madhe të poezive nuk thyen as dobëson vrullin e dashurisë dhe vetëbesimit të subjektit lirik:
…e tillë jam, njeri
jetoj si dua vetë
jo si do ti, ti, ti,…
(Un’i)
Edhe akrostiku pesëvargësh që nisë me mallin dhe pritjen duke zgjuar kështu një ndjenjë pesimizmi tek lexuesi, në të vërtetë metatemë e saj është dashuria, gjë që e tregojnë qartë shkronjat e para të vargjeve në vertikale.
Shpirti i poetes është i madh. Shqetësimi i saj rreth ngjarjeve nëpër botë, gati se i prekshëm. Rrezatues.
O mik,
bota është fundosur,
thellë në shpirtrat e trazuar.
Në më faltë mua syrin e saj
unë kam për t’u bërë diell
t’ju ngroh,
e t’ju falë lumturi
pa fund.
(Në një tjetër shikim)
E, Zoti qan atëherë kur përfundojnë dashuritë, thotë autorja.
Ndahemi nga përmbledhja me poezi ‘Dhembjen lerma mua’ mbase për t’iu rikthyer përsëri, më të pasur në ndjenjë, më të thellë në mendime, me bindjen e plotë se kjo përmbledhje e vargjeve të lira, me semantikën e fjalëve, melodinë dhe rrjedhshmërinë e shprehjes, emocionin sublim që përshkon ato si rezultat i eklplorimit të thellë shpirtëror, është kontribut në poezinë tonë bashkëkohore.
_____________
( Ky vështrim letrar është lexuar dhe në hapjen e Manifestimit tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit”, më 16 tetor 2021, në Bibliotekën e Qytetit të Gjilanit, ku u përurua ky libër )

You Might Also Like