Pas vendkalimit në KAPI të Medvegjës, do të duhej edhe vendkalime tjera, ka thënë Refik Hasani, veprimtar nga Lugina e Preshevës, i cili ka theksuar se duhet përshëndetur hapjen dhe zyrtarizimin e vendkalimit kufitar në mes të Medvegjës dhe Kamenicës, e cila u bë pasi mori dritën e gjelbër më parë nga Qeveria e Republikës së Serbisë, Republikës së Kosovës dhe në mbështetje të BE-ës.
“Këso projekte duhet bërë shumë më shumë. Medvegja përfitoi, prandaj urime vendkalimi kufitar në KAPI të Medvegjës. Urojmë që edhe në Muhoc, Breznicë e Dobrosin të Bujanocit që kufizohen me Kamenicën, gjegjësisht me Gjilanin të hapen dhe zyrtarizohen vendkalime kufitare”, ka thënë Refik Hasani, që ka shtuar se duhen sa më shumë vendkalime kufitare e investime ndërkufitare duke bërë projekte për grante nga BE-ja për IPA I dhe IPA II që ndahen dhe janë të dedikuara për bashkëpunim ndërkufitar. Ai thotë gjithashtu se do të duhej të ketë binjakëzime e vllazërime në mes të Komunave të Prishtinës, Gjilanit, Kamenicës, Vitisë, Kumanovës dhe Likovës në njërën anë me Krahinën shqiptare që përfshin komunat Medvegjë, Bujanoc e Preshevë.