Teatër

Teatri i Gjilanit fiton çmimin për shfaqjen më të mirë

​Gjilan 26 janar 2020 – Shfaqja “a.y.l.a.n” që përfaqësoi nikoqirin, Teatrin e Qytetit të Gjilanit, përmbylli Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”,  që mbahet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2020”, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ndërsa juria vlerësuese në përbërje: Agim Selimi, regjisor, Visar Krusha dramaturg dhe Ekrem Sopi regjisor, i kanë vlerësuar prurjet e këtij edicioni dhe kanë ndarë çmimet e parapara për këtë Festival.

Kështu, ”Drama më e mirë origjinale e Festivalit”, u vlerësua, ajo e Fadil Hysaj, shfaqja “Shkamat”.

Çmimin “Shfaqja më e mirë e Festivalit” ishte shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit.

“Regjia më e mirë e Festivalit”, ishte çmimi që iu nda regjisores Blerta Rrustemi – Neziraj për shfaqjen “a.y.l.a.n”.

Çmimi “Aktorja më e mirë e Festivalit”, i takoi aktores Sheqerie Buqaj, për rolin në shfaqjen “Shkamat”.

Çmimi “Aktori më i mirë i Festivalit”, i takoi aktorit Xhevdet Doda, për rolin në shfaqjen “Shkamat’

Ndërsa, Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit bëri të ditur edhe për disa çmim speciale që do t’i ndajnë e që i bëjnë nderë Teatrit, angazhimi i të cilëve ka bërë që të kemi këtë interesim të madh për teatrin.

Kështu, çmimi Post Mortum  iu nda aktorit dhe regjisorit Nuhi Matoshi.

Çmimi tjetër iu dedikua aktorit Muharrem Sylejmani, njëri ndër meritorët që Teatri ka këtë të arritur .

Po ashtu, u ndan edhe dy mirënjohje: edhe atë për Burhan Sylejmanin dhe Behajdin Hoxha.

Përndryshe, Deniza Limani, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport  dhe kryesuese e Bordit të këtij manifestimi , në përmbyllje të Festivalit “Talia e Flakës”,  përshëndeti të pranishmit në emër të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Hazirit, duke u shprehur e lumtur që pjesëmarrja dhe interesimi për të përcjellë këtë manifestim ishte i madh.

Ajo veçoi veçmas interesimin e të rinjve me çka  garantohet  e ardhmja e këtij festivali, përkatësisht e këtij manifestimi.

Përndryshe, kur jemi te shfaqja e natës së fundit  “a.y.l.a.n”, që doli të jetë edhe shfaqja më e mirë e festivalit, mund të themi se pamja e vogëlushit sirian Aylan Kurdi, i shtrirë në bregdetin turk pasi ishte mbytur në Detin Mesdhe, në vitin 2015,  duket të ketë inspiruar edhe autorin Jeton Nezirajn dhe regjisoren Blerta Rrustemi-Neziraj., që përmes  aktorëve të Teatrit të Qytetit të Gjilanit, sollën  për publikun e mrekullueshëm që ka Gjilani, shfaqjen “a.y.l.a.n.”, shfaqje kjo që në mënyrë ironike shpërfaq dramën aktuale të refugjatëve në Evropë dhe përpjekjen e paskrupullt të shumë njerëzve për të përfituar nga tragjedia e tyre.

Dhe, përderisa në shumicën e vendeve evropiane, ndjenjat anti-refugjatë janë në rritje, ndërkohë që empatia për dramën dhe vuajtjen e tyre ka filluar të zbehet, shfaqja ‘a.y.l.a.n.’ na konfronton me domosdoshmërinë për të parë dramën e tjetrit në vetveten tonë.

Kjo shfaqje, prodhim i Teatrit të Gjilanit,  me autor Jeton Neziraj e me regji të Blerta Neziraj, u luajt nga: Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani dhe Alban Shahiqi.

Përndryshe,  aktivitetet e manifestimit “Flaka e Janarit 2020”, do të vazhdojnë më 28 janar kur mbahet Festivali i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës” në sallën e teatrit të qytetit.

Ndërkaq, në ditën e fundit, më 31 janar, zhvillohen dy aktivitete – Ora e madhe letrare “Pena e  Flakës”, ku shpallen edhe rezultatet e konkursit letrar në prozë dhe poezi si dhe Festivali i këngës popullore “Fest Flaka”.

You Might Also Like