Futboll

Thaqi: Kjo është njëra ndër ndeshjet më të rëndësishme për ne

Armend Thaqi është paraqitur para mediave në prag të sfidës kampionale ndaj Dritës, duke cilësuar si njërën ndër ndeshjet më të rëndësishme, por jo edhe vendimtare.

Thaqi i cili është edhe në mesin e kapitenëve të skuadrës ka potencuar faktin se ai me bashkëlojtarët e tij janë gati për këtë ndeshje dhe do të japin gjithçka nga vetja në këtë takim.

“Kemi pasur dy javë kohë për t’u përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Është ndeshje e vështirë, por jemi përgatitur maksimalisht që të japim nga vetja gjithçka për t’iu kthyer ecurisë pozitive”.

Duke folur për rëndësinë e ndeshjes, Thaqi ka shtuar se rivaliteti ndërmjet dy klubeve vazhdon të jetë prezent në fushën e blertë edhe pse në tribuna mungon spektakli i tifozëve.

“Derbi është një përgjegjësi e madhe dhe ne jemi të nderuar që jemi pjesë e kësaj ndeshje. Rivaliteti ekziston ende edhe pse i ka humbur shkëlqimi pa prezencën e tifozëve. Tashmë vëmendja është te futbollistët brenda fushës dhe rivaliteti është prezent gjithashtu. Ky është ndër derbit më të mëdhenj në trojet shqipfolëse dhe është kënaqësi të jesh pjesë e derbit”.

Përballja ndërmjet Dritës dhe Gjilanit do të zhvillohet këtë të enjte me fillim nga ora 14:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan.

You Might Also Like