Gjilan

U bënë homazhe dhe buqetë lulesh te busti i Xhavit Ahmetit

 

Në 25-vjetorin e shkuarjes në amshim të prof. dr. Xhavit Ahmetit, drejtoria, profesorë dhe nxënës të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” kanë bërë homazhe dhe kanë vënë buqetë lulesh pranë bustit të këtij personaliteti, që me krenari mbanë emrin e tij kjo shkollë ndër më të mirat në rajon e më gjerë.

 

Ky është nëntori i 25-të pa profesorin, intelektualin e veprimtarin Xhavit Ahmeti, i cili vdiq aksidentalisht në rrugën e vështirë të mbrojtjes së pavarësisë së shkronjave dhe shkollës shqipe.

Xhavit Ahmeti kontribuoi fuqishëm në forcimin e rezistencës dhe refuzimin e masave serbe për zhbërjen e arsimit shqip. Në vitet e nëntëdhjeta, si këshilltar për arsim i presidentit Ibrahim Rugova, ai demonstroi aftësi të veçanta në ngritjen dhe funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në përgjithësi dhe të arsimit në veçanti, sikurse edhe në masivizimin e rezistencës politike ndaj institucioneve të dhunshme serbe në Kosovë.

Shëmbëlltyra e tij si intelektual e shkencëtar, si politikan dhe patriot i përkushtuar për çështjen e Kosovës, ishte motivim dhe frymëzim për shumë gjenerata në kauzën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Vdekja tragjike e gjeti Xhavit Ahmetin në një mision të rëndësishëm, derisa së bashku me një delegacion të Kosovës po shkonin në Beograd, për të mbrojtur arsimin shqip.

Shqiptarët duhet të jenë krenarë që patëm një njeri të madh, një intelektual të shquar, një shkencëtar të spikatur, një atdhetar të devotshëm të çështjes kombëtare. Pas lufte, me krijimin e Gjimnazit Natyror në Gjilan, kjo shkollë mori emrin e këtij patrioti të çmuar, të cilin e mbanë me plotë krenari.

You Might Also Like