Futboll

Vendosi penaltia në kohën shtesë

Drita dhe Drenica, dy ekipe që sigurt qëndrojnë në tabelë kanë barazuar në ndeshjen që është zhvilluar në Gjilan me rezultat të barabartë 2:2.

Drita që hiqej për favorite, që në fillim ka nisur me posedim të topit dhe një herë qëlloi shtyllën, por kanë qenë mysafirët nga Skenderaj që të parët kanë kaluar në epërsi. Në minutën 12, mysafirët patën një gjuajtje nga e majta dhe në rrëmujën e krijuar para portës më së miri është gjetur Andrevs, i cili nga afërsia ka qëlluar topin për tokë dhe e ka dërguar atë në këndin e poshtëm të djathtë të portierit Rexhepi.

Pas golit të pësuar, Drita u sul drejt portës mysafire, por e tëra që bëri në dy raste ishin disa gjuajtje nga largësia në portë, të cilat i priti portieri mysafir.

Kur Drita po sulmonte me të gjitha forcat, Drenica organizoi një kundërsulm nëpërmjet Andrevs, i cili mori topin në gjysmën e fushës, kaloi mbrojtësin Gërbeshi dhe me urti e qëlloi topin duke e dërguar në anën e djathtë të pambrojtur të portierit Rexhepi për rezultatin 0:2. Krejt kjo ndodhi në minutën 42 dhe me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.

Në pjesëlojën e dytë, Drita ka futur në zonën e golit kundërshtarin e saj, por goli i parë ka arritur në minutën 72, kur Xh. Shabani dha gjuajtje nga këndi, kurse në brendi më së larti u shkëput Haxhimusa, që me kokë nguliti topin në portë dhe zvogëloi rezultatin 1:2.

Drita në fund sulmoi edhe më me ngulm dhe në kohën shtesë, në brendi Leci nxori një penalti. Gërbeshi mori përgjegjësinë dhe gjuajti në mes të portës, portieri mysafir e priti penaltinë dhe në topin e kthyer ndërhyri Leci që e futi topin në portën e zbraztë dhe vendosi rezultatin përfundimtar 2:2.

You Might Also Like