Libri

VEPЁR ME THELLЁSI MENDIMI, DLIRЁSI NDJENJASH, PLASTICITET FIGURACIONI DHE FORCЁ KOMUNIKIMI

  Prof.dr.Bahtijar Kryeziu

Faik Shkodra “Rrjedha letrare” (Kundrime estetike), “Rozafa”, Prishtinë, 2018, faqe 271)

Dje, të parit, apo ndoshta ndër të parëve, prof. dr. Faik Shkodra, më dhuroi veprën e posa botuar “Rrjedha letrare”. Ёshtë kjo vepra e 20 e Shkodrës, gjatë “rrjedhës” së tij krijuese, e cila ngërthen në vete kundrime estetike për disa autorë myzeqarë, përkatësisht fierakë, për të cilët profesor Shkodra kishte shkruar me një interesim të vazhdueshëm, duke i trajtuar ata në shkrimet e veta kritike e studimore gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të këtij shekulli, qysh se profesori kishte lidhur një miqësi të sinqertë me disa nga ata krijues e studiues të cilët edhe janë objekt venerimi e studimi në këtë vepër. Janë këto raste të mira e për lakmi do të thoshim, kur intelektualët e studiuesit tanë nuk sillen si në vorbull, në një rreth vicioz, duke shkruar vetëm për autorë të rrethit të tij, për ilakët e kafeneve që shkruajnë në stilin “ti për mua e unë për ty”. Shkodra shkoi përtej kësaj logjike e mentaliteti, duke vënë në syzim krijimtarinë e krijuesve të një tërthoreje të veçantë, jo të njohur edhe aq nga shumë krijues e studiues tanë, siç janë myzeqarët, disa nga të cilët edhe i kanë rrënjët nga ky truall ku ne gjëllim me shekuj, me gjithë stuhitë barbare që përjetuam gjatë shekujve të kaluar.
Profesor Shkodra sikur është mishëruar fort me ata njerëz, me ata krijues e studiues, me atë vend të mrekullueshëm të shtetit amë. Andaj edhe vepra “Rrjedha letrare” “në fakt është e dyta e radhës, që ia dedikon kësaj hapësire, pas asaj me titullin “Visore letrare – vepra të Fran Ukcamës” (Prishtinë, 2014), në të cilën, në mënyrë shteruese, e trajton veprën e njërit ndër autorët më prodhimtarë fierakë të së sotmes” – shkruan dr. Hysen Matoshi, recensuesi i veprës “Rrjedha letrare” të prof. dr. Faik Shkodrës.
Në hapësirën prej 270 faqesh, profesor Shkodra, në veprën e tij “Rrjedha letrare”, ka siguruar vend që në mënyrë analitiko-sintetike të marrë në vështrim veprat “Pranvera i shkruan letër Baba Dimrit” dhe “Në kopshtin e ëndrrave” të Bardhosh Gaços, si njëri nga krijuesit më të shquar të letërsisë për fëmijë, për të vazhduar me dy veprat e Fran Ukcamës, me përmbledhjen poetike “Kulla në qerpik të diellit” dhe romanin historik “Baca i Myzeqesë dhe Dardani i Reçakut”. Përshtypje të veçantë profesorit tonë i ka lënë edhe poema “Nëna e madhe”, poemë kushtuar humanistes e nobelistes shqiptare – Nënë Tereza, e autores Jeta Peshkopia.
Për shkak të natyrës së prezantimit, në këtë vend, përciptazi po përmendim edhe disa studime të profesor Shkodrës në veprën e tij “Rrjedha letrare”, përkitazi me veprat: “Një copëz jetë” (përmbledhje poetike) e autores Menderez Gega; vepra “Njëqind vjet i thërras lirisë” e autorëve Nikolla Margilaj dhe Jashar Dacaj; Përmbledhja “Furtuna blu” e Nuri Plakut; librat poetikë: “ Portretin e kam varur në muret e kohës”, “Mirë se erdhe Lamtumirë” të Petraq Kote; përmbledhja poetike “Qeni brenda enës” e autorit Petrit Nika; përmbledhja “Digjem mes tingujsh” e autores Valentina Dafa; përmbledhja poetike “Monaliza qan” e Vladimir Markut; ajo e poetit Xhemail N. Goras “Nëse do të jetosh”, si dhe dy veprat e fundit (me poezi) që zënë disa faqe libri të krijuesit Fran Ukcama me titull “A ka kund pranverë, për ta blerë” dhe “Gjergj Kastrioti – Heroi kombëtar shkëlqimtar”.
Vepra “Rrjedha letrare” e prof. dr. Faik Shkodrës është një rast i mirë për dashamirët e fjalës së shkruar për ta njohur edhe mës tepër atë krijimtari të krijuesve myzeqarë dhe të atyre fierakë. Ndërkaq, për profesor Faikun kjo vepër le të jetë edhe një “tullë më shumë në kalanë e tij” – siç ia kënda të thotë shpeshherë, e me dëshirat tona që kjo të jetë vepra e radhës, nga ato që do të na dhurojë edhe në të ardhmen ky krijues.

You Might Also Like