KH Drita ka varguar edhe një sukses në këtë kampionat, ngase ka shënuar fitoren e tretë radhazi në këtë kampionat. Brenda pak ditësh u gjunjëzuan Trepça nga Mitrovica, ekipi nga kryeqendra Prishtina e tashti së fundi edhe Vëllaznimi në Gjakovë.
Djelmoshat që drejtohen nga dyshja e trajnerëve Erhan Shahini dhe Luan Sllamniku kanë shënuar një fitore të madhe në Palestrën e Sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë, duke e mposhtur Vëllaznimin me rezultat 37:29, plot tetë gola epërsi.
Drita që sivjet është riorganizuar mirë, po shkon krah për krah me ekipin e Besës nga Peja, që tash e sa vite nuk di për humbje. Lojë e mirë e Dritës pritet edhe në xhiron e radhës dhe gjithsesi se tifozët e flaktë të tyre e presin edhe një fitore.