Sportet me dorë

Vlora Hasani – Berisha i rikthehet volejbollit

 

Dikur ish-volejbollistja më e mirë në Kosovë, anëtare e kombëtares së Shqipërisë dhe të Kosovës, Vlora Hasani – Berisha, sërish i është kthyer volejbollit edhe atë në klubin ku kishte nisur karrierën e saj në KV Drita.

Vlora Hasani – Berisha, qysh e re kishte nisur karrierën e saj duke mbërritur majat e volejbollit dhe duke qenë lojtare e ekipeve më të mira në Kosovë dhe në Shqipëri. Ajo ishte e pandalshme sidomos në sulmet e saj nga të gjitha pozitat. Pas shumë viteve të kaluara në volejboll, Vlora është martuar me volejbollistin Idriz Berisha dhe ishte bërë nënë e dy djemve, gjë e cila e kishte ndalë përkohësisht nga volejbolli.

Tashti, disa vite me pas, ajo ka vendosur që t’i kthehet lojës magjike të volejbollit edhe atë në KV Drita, pikërisht aty ku kishte nisur karrierën kur kishte qenë e re.

Ajo thekson se është mirëpritur nga presidenti i klubit, trajneri dhe vajzat tjera të ekipit dhe shton se po ndjehet shumë mirë në këtë mjedis, i cili për të është shumë i njohur, ngase siç thekson Vlora, Drita gjithmonë ka qenë dhe është familja e saj.

“Vendosa të kthehem,  sepse mendova që mundem ende të kontribuojë si lojtare në ekipin tim të zemrës”, thekson Vlora Hasani – Berisha, e cila shton se Drita i ka kampionet aty, por beson që ajo me përvojën e saj mund t’i ndihmojë ekipit drejt sukseseve të radhës.

Vlora lojën aktive e kishte ndërprerë para tetë viteve e tashti thekson se forma e saj nga dita në ditë po shkon duke u ngritur edhe atë falë punës së palodhshme të kryetrajnerit Lorik Ilazi, i cili si gjithnjë punon profesionalisht me lojtare. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like