Futboll

Vukiçeviq: Humbëm, por do të gëzohesha nëse goli ishte i rregullt

Tekniku malazez tha se dueli ndaj gjilanasve ishte sikurse një lojë shahu me shumë taktizime, por në fund vendosi një gabim i vetëm.

“Nuk e merituam humbjen në bazë të rasteve që krijuam në këtë ndeshje, e cila për ne ishte si një lojë shahu. Kufizuam kundërshtarin në mundësitë e veta dhe krijuam mundësitë tona, të cilat megjithatë nuk i shfrytëzuam. Një pakujdesi në fundin e pjesës së parë na kushtoi. Nuk dua të flas nëse ishte apo jo pozitë jashtë loje, por mund të them që bëmë disa gabime përpara se të vinte ajo goditje drejt portës”, deklaroi Vukiçeviq për “Super Sport Kosova”

Shefi i shtabit teknik te kampionët në fuqi foli gjithashtu edhe për ngecjen prapa të ekipit të tij me skuadrat e kreut të tabelës, ndërkohë që theksoi faktin se ende është fillimi i kampionatit dhe do të ketë luftë deri në fund.

“Është dashur të rrezikojmë më shumë në pjesën e dytë. Nuk kemi patur zgjidhje të tjera për këtë ndeshje në repartin sulmues, kemi pak alternativa në stol. Nuk jemi të kënaqur me rezultatin natyrisht, por me disiplinë dhe angazhimin e lojtarëve jemi shumë të kënaqur. Këto ndeshje vendosen nga një gabim dhe një gol. Këtë gabim sot e bëmë ne dhe e humbëm ndeshjen. Ende jemi në fillim të kampionatit dhe pres një kampionat tejet interesant. Ndeshja ishte shumë e luftuar, por jo shumë kualitet. Humbëm një betejë, por lufta do vazhdojë deri në fund”, përfundoi 51 vjeçari.

You Might Also Like