Futboll

Ardian Nuhiu e Zekirija Ramadani, dikur bashkëlojtarë te Slloga Jugomagnat në Shkup e sot rivalë të mëdhenj në derbin gjilanas

Në fillim të mileniumit të ri, në mesin e shumë futbollistëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, dy futbollistë  po shkëlqenin në ekipin Slloga Jugomagnat të Shkupit, mbrojtësi Zekirija Ramadani dhe mesfushori me tipare ofensive Ardian Nuhiu. I pari, në klubin bardh e kaltër nga Shkupi kishte ardhur në vitin 1999, derisa i dyti më 2001. Këta dy futbollistë, pos që ishin bashkëlojtarë, ishin edhe bashkëmoshatarë, por e veçanta e tyre ishte se më vonë, të dy do të bëheshin kryetrajnerë.

Prej vitit 2001 deri më 2004, Nuhiu e Ramadani do të shënonin sukseset më të mëdha të Slloga Jugomagnatit, bile fituan besimin edhe për të luajtur për seleksionon e Maqedonisë së Veriut, kurse ballafaqimi më i madh sportiv ndërmjet tyre do të ndodhte në Gjilan, duke qenë pjesë e dy ekipeve të këtij qyteti, SC Gjilani dhe FC Drita.

Zekirija Ramadani, kryetrajner i SC Gjilanit mbanë rekordin në futbollin kosovar si vjelës i trofeve, duke fituar titullin e kampionit me ekipe të ndryshme si Trepça ’89, Feronikeli, Prishtina dhe Drita (dy herë 2024/2025 dhe 2025/2026) si dhe duke udhëhequr me sukses edhe rivalin lokal, SC Gjilanin, tek i cili sërish është rikthyer në vjeshtën e sivjetme.

Një titull Dritës i solli edhe Ardian Nuhiu në kampionatin 2019/2020, ai udhëhoqi edhe SC Gjilanin dhe tashti sërish është kthyer te FC Drita.

Dikur shokët e skuadrës Slloga Jugomagnat të Shkupit, disa herë janë gjetur përballë njëri-tjetrit në derbim të zjarrtë të futbollit kosovar, sa në bankinën e Dritës e sa në të Gjilanit, por gjithmonë pavarësisht rivalitetit të ashpër sportiv për pikë dhe trofe, të dy janë munduar që dijen e tyre ta shfaqin në fushë, gjithmonë për humbje a fitore të marrin përgjegjësinë vet, pa fajësuar askënd.

Derbi i zjarrtë pritet edhe këtë të diele, më 29 nëntor 2026, por dilema mbetet cili nga dy bashkëlojtarët e dikurshëm do të jetë më i suksesshëm. /Enver Sadiku – kryelajmi.com/.

You Might Also Like